Serbia do të nisë vaksinimin e popullatës së saj kundër koronavirusit më 24 dhjetor, duke përdorur vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç do të jetë në mesin e personave të parë që do të marrë dy dozat e vaksinës, me qëllim të rritjes së besimit publik në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës, ka thënë qeveria serbe.
Serbia ka pranuar rreth 5,000 doza të vaksinës së krijuar nga Pfizer/BioNTech më 22 dhjetor.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se dozat e para do t’i marrin të moshuarit nëpër shtëpi kujdesi.
“Është e rëndësishme që të mbrojmë këta njerëz, më shumë se 80 për qind e personave që kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm janë të moshuar dhe ata janë më të rrezikuarit”, ka thënë ai.
Mirsad Gjerllek, sekretar shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me dozat tjera të vaksinës, që pritet të arrijnë në javët e ardhshme, do të vaksinohen punëtorët e kujdesit shëndetësor.
Ai ka thënë se 80,000 doza duhet të shkojnë në Serbi për çdo muaj, apo mjaftueshëm për 40,000 persona, meqë duhet marrë dy doza brenda disa ditëve.
Ndonëse Serbia nuk ka miratuar ende përdorimin e vaksinave, ky shtet pritet të përdorë edhe vaksinën e prodhuar nga Rusia kundër koronavirusit, Sputnik V dhe atë të Kinës, Sinopharm për të siguruar më shumë doza për popullatën me 7 milionë banorë.
Vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është miratuar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Izrael.
Përdorimi i saj pritet të nisë edhe në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.
Autoritetet serbe deri më tani kanë regjistruar më shumë se 300,000 persona të infektuar dhe 2,800 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi./REL