Senati miraton paketën prej 3.5 trilionë dollarësh

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Senati miraton paketën prej 3.5 trilionë dollarësh

Demokratët në Senat miratuan një paketë prej 3.5 trilionë dollarësh për forcimin e shërbimeve familjare, shëndetësore dhe programeve mjedisore të mërkurën herët, duke shënuar një fitore për vizionin e Presidentit Joe Biden për të ndryshuar përparësitë e qeverisë federale, vetëm disa orë pasi kishin miratuar një paketë tjetër prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën.

 

Rrezoluta për 3.5 trilionë dollarë u miratua vetëm me votat e demokratëve 50-49. Buxheti, nëse miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, do të ishte një hap i rëndësishëm për presidentin dhe partinë demokrate, të vendosur për ta vënë fuqinë fiskale të qeverisë në ndihmë të familjeve, krijimit të vendeve të punës, si dhe për të luftuar ndryshimet klimatike.

 

Advertisement

Taksat më të larta për të pasurit dhe korporatat do të jenë ato që do të paguajnë për pjesën më të madhe të kësaj pakete. Miratimi erdhi pavarësisht një seri ndryshimesh të paraqitura nga republikanët, që synonin t’i bënin rivalët e tyre të paguajnë një çmim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kontrollin e Kongresit.

 

Drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve njoftuan se ligjvënësit do të kthehen nga pushimet verore pas dy javësh, për të votuar mbi planin fiskal, i cili parashikon shpenzimin e 3.5 trilionë dollarëve gjatë dekadës së ardhshme. Miratimi përfundimtar në Kongres, i cili duket i sigurt, do ta mbronte atë nga një proces potencialisht bllokues, që mund të ndërmerrnin republikanët në të ardhmen, kur të diskutoheshin shpenzimet sipas zërave të veçantë.

 

Advertisement

Megjithatë, miratimi i këtij ligji do të jetë i paparashikueshëm pasi ligjvënësit e moderuar të partisë demokrate janë të shqetësuar për koston e lartë prej 3.5 trilionë dollarësh të paketës, që është vjen pas kërkesave të progresistëve në parti për një veprim edhe më agresiv. Partia demokrate kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve me një diferencë shumë të ngushtë, ndërsa Senati i ndarë në mënyrë të barabartë, është i demokratëve vetëm për shkak të votës së nënpresidentes Kamala Harris.

 

Opozita e fortë e republikanëve duket e sigurtë.

 

Advertisement

Kryetari i Komisionit të Buxhetit në Senat Bernie Sanders, dikur një zë progresiv i papërfillur në Kongres dhe tani një figurë kombëtare me ndikim, tha se projektligji do të ndihmonte fëmijët, familjet, të moshuarit, punëtorët e më gjerë.

 

“Shpresoj gjithashtu që ky projektligj do të rikthejë besimin e popullit amerikan se ne mund të kemi një qeveri që punon për të gjithë, dhe jo vetëm për pak njerëz,” tha ai.

 

Advertisement

Republikanët argumentuan se propozimet e demokratëve do të sillnin shpenzime të kota, do të rrisnin taksat, do të nxisnin inflacionin dhe do të strukturonin kërkesat e së majtës ekstreme që do të dëmtonin amerikanët. Ata përdorën senatorin Sanders, një i vetëshpallur socialist demokratik, për të provuar të bindnin të gjithë demokratët që mbështesin paketën./ VOA

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy