Në vijim të turit në Lindjen e Mesme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Egjipt, vendi që luajti një rol kyç në arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe militantëve palestinezë, pasi ka marrëdhënie të gjata me të dyja palët në konflikt.
Në një vizitë të shkurtër, Blinken u takua me Presidentin Abdel Fattah al-Sisi, Ministrin e Jashtëm Sameh Shoukry dhe kreun e inteligjencës së përgjithshme Abbas Kamel në pallatin presidencial në Kajro.
Blinken mbërriti në Egjipt pas ndalesave në Jeruzalem dhe Ramallah dhe gjithashtu do të vizitojë Jordaninë.
Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do të siguronin miliona dollarë ndihmë në rindërtimin e Rripit të Gazës si dhe ka bërë të ditura planet për të rihapur konsullatën amerikane në Jerusalem, e cila ka shërbyer si kanal diplomatik i Uashingtonit për palestinezët.
Sekretari Blinken gjithashtu tha se do të sigurohet që grupi militant Hamas, i cili kontrollon Gazën dhe është renditur nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste, të mos përfitojë nga ndihma humanitare.