Kancelari gjerman Olaf Scholz ka vizituar Shtetet e Bashkuara te Amerikës, ku eshte takuar me presidentin Joe Biden.
“Shefi i Kremlinit po përhap gënjeshtra për historinë e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Scholz para bisedimeve me presidentin Biden, ndërsa e përshkroi intervistën e Putin me gazetarin Tucker Carlson si “qesharake”.
Ndërkohë gjatë takimit dy liderët riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën.
“Presidenti vlerësoi kontributet shembullore të Gjermanisë në vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe kancelari Scholz theksoi rëndësinë e mbështetjes së qëndrueshme të SHBA.”
Pas takimit kancelari Scholz deklaroi se nëse Kongresi Amerikan nuk arrin të votojë në favor të financimit të mëtejshëm për Kievin, aftësia e forcave të armatosura ukrainase për të mbrojtur vendin, do të kërcënohej.
“Mbështetja nga SHBA është thelbësore. Gjithashtu kemi besim se Kongresi amerikan në fund do të marrë një vendim për të ofruar ndihmë”, tha Scholz.
Më herët në një intervistë per nje gazete gjermane, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje vendeve evropiane të rrisin prodhimin e armëve për të parandaluar një konfrontim te mundshem me Rusinë./vizionplus.tv