Sanksionet mund ta kthejnë ekonominë e Rusisë në epokën sovjetike

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sanksionet mund ta kthejnë ekonominë e Rusisë në epokën sovjetike

Nuk është e qartë nëse presidenti rus Vladimir Putin e kishte parashikuar se sa masive do të ishin sanksionet që pasuan fillimin e agresionit të tij në Ukrainë. Por ashpërsia e tyre mund të ketë pasoja të rënda ekonomike për Rusinë.

Ndërsa sanksionet paralizuese fillojnë të hyjnë në fuqi në Rusi pas agresionit ndaj Ukrainës nga Moska, disa ekspertë thonë se presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë befasuar nga ashpërsia e tyre.

“Mendoj se Putini u befasua. Rubla ruse u zhvlerësua. Reagimi rus lë të kuptosh se ekonomia ruse po shkon drejt një ruble të pakonvertueshme. Kjo do të thotë një treg i zi në Rusi. Kjo do të thotë treg i zi për dollarë dhe treg i zi për objektet që blehen me dollarë”, thotë Daniel Fried i Këshillit të Atlantikut.

Ekonomisti Yuriy Gorodnichenko i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, bie dakord se sanksionet mund ta kthejnë Rusinë tek ekonomia e epokës sovjetike.

Advertisement

“Rusët duhet të kujtojnë atë që ndodhi në fillim të viteve 1990 kur inflacioni ishte i madh, kur pati një rënie të thellë të rritjes ekonomike. A do të duan të paguhen me goma makinash, tuba dhe naftë? Këto janë të gjithë skenarë të mundshëm”, thotë Yuriy Gorodnichenko i Universitetit të Kalifornisë.

Dhe Perëndimi, besojnë ekspertët, nuk i ka shterruar opsionet e sanksioneve.

Një sektor tjetër që ata mund ta godasin rëndë është ai i energjisë, por sanksionet në atë fushë nuk do të dëmtonin vetëm Rusinë, por edhe botën.

“Problemi është se pa u zhvilluar burime të mjaftueshme alternative energjie, do të jetë e vështirë që të bëhet një gjë e tillë. Dhe nuk më vjen mirë ta them këtë. Por nëse ne ndalim blerjen e naftës dhe gazit rus, ata do të gjejnë tregje të tjera veçanërisht për naftën, por çmimi do të rritet dhe është e mundur që Putini të ketë përfitime nga kjo”, thotë zoti Fried.

Advertisement

Ekspertët besojnë se raundi tjetër i sanksioneve mund të përfshijë kufizime edhe më të ashpra të vendosura ndaj kompanive ruse dhe kufizime më të ashpra në eksportet e energjisë.

Ajo që është gjithashtu e qartë është se Rusia mund të jetë duke fituar terren në Ukrainë, por po humbet luftën e informacionit.

“Mendoj se e kuptojnë këtë. Së pari, do të ketë një letër të hapur të nënshkruar nga 159 laureatë të çmimit Nobel që kundërshtojnë luftën në Ukrainë duke i kërkuar Rusisë të ndalojë agresionin. Shkencëtarët në gjithë botën po flasin kundër pushtimit. Shkencëtarët rusë kanë shkruar gjithashtu një letër të hapur duke kundërshtuar luftën”, thotë Ilona Sologub e VoxUkraine.

Protestat anembanë Rusisë e bëjnë të qartë se edhe qytetarë të zakonshëm janë kundër vendimit të Rusisë për të ndërhyrë në Ukrainë. Madje edhe disa nga qytetarët më të pasur të vendit, si oligarku Mikhail Fridman dhe industrialisti Oleg Deripaska, kanë thënë se kundërshtojnë veprimet e Rusisë.(VOA)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy