Liderë nga Lindja e Mesme, nga Europa dhe SHBA janë mbledhur këtë të shtunë në Samitin e Kajros në përpjekje për ndalimin e përhapjes së konfliktit, ndihmat për Gazën dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.
Samti synon për një qëndrim të përbashkët mes zyrtarëve sa i takon konfliktit Izrael-Hamas, por një gjë e tillë duket e vështirë për tu arritur.
Shefi i Okb Antonio Guterres, kërkoi armëpushim të menjëhershëm, ndërsa tregoi për situatën në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit.
“Pashe një paradoks të madh atje. Në njërën anë kamionë të mbushur me ushqime dhe në anën tjetër njerëz me stomakun bosh. Kamionët duhet të lëvizin sa më shpejtë të jetë e mundur, në sasi të mëdha dhe të sigurt nga Egjipti në Gaza”.
Presidenti palestinez , Mahmoud Abbas deklaroi në samit se populli palestinez nuk do të lëvizë nga banesat pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme nga ushtria izraelite.
“Ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë zhvendosje të dhunshme dhe do të qëndrojmë në këmbë në tokën tonë”
Mbreti Abdullah i Jordanisë denoncoi atë që ai e quajti heshtje globale për sulmet e Izraelit, dhe kërkoi një qasje të barabartë ndaj konfliktit.
“Mesazhi që bota arabe po dëgjon është se jetët e palestinezëve kanë më pak rëndësi se ato izraelite. Udhëheqja izraelite duhet të kuptojë një herë e përgjithmonë se një shtet nuk mund të lulëzojë kurrë nëse ndërtohet mbi një themel padrejtësie. Mesazhi ynë për izraelitët duhet të jetë se ne duam një të ardhme paqeje dhe sigurie për ju dhe palestinezët.”
Liderët perëndimorë të pranishëm në samit bënë thirrje për hapjen e korridoreve humanitare dhe theksuan se civilët palestinezë nuk janë përgjegjës për sulmet terroriste të Hamasit.