Rusia bëri të ditur sot (e premte), se prej të enjtes vonë në mbrëmje, ka nën kontroll qytetin e Soledarit në Ukrainë. Kievi, e hodhi poshtë këtë pretendim dhe tha se beteja për Soledarin vazhdon.
Prej muajsh palët janë përfshirë në luftime të ashpra në këtë qytet, secila duke pretenduar herë pas here, se e kontrollon atë.
Të enjten zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar, tha se në Soledar po zhvilloheshin luftime të ashpra, duke shtuar se forcat e Ukrainës po rezistonin.
Komentet zonja Maliar i bëri një ditë pas pretendimeve kontradiktore se kush e kontrollonte qytetin.
Ky rajon në lindje të Ukrainës është një nga më aktivët në konflikt, duke e bërë të vështirë një vlerësim të pavarur të situatës.
Ndërkohë ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha për rrjetin televiziv britanik BBC se Ukraina është de facto një vend anëtar i NATO-s.
Ai shtoi se Kievi ka siguruar armët dhe stërvitjet e nevojshme, për t’u përballur me agresionin rus. Zoti Reznikov u shpreh i sigurt se në të ardhmen e afërt, Ukraina do të bëhet de jure një vend anëtar i NATO-s.
Raporti i zbulimit britanik
Sipas zbulimit britanik, Rusia ka gjasa të përdorë të burgosur për të punuar në sektorin e prodhimit të mbrojtjes, me qëllimin për të përmbushur kërkesat për mjete ushtarake në kohë lufte.
Në një raport të publikuar sot në Twitter, thuhej se “në nëntor të vitit 2022, prodhuesi më i madh i tankeve në Rusi, ‘Uralvagonzavod’ (UVZ), kishte bërë të ditur për mediat lokale se do të punësonte 250 të burgosur, pas takimit me Shërbimin Penal Federal (FSIN).
Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se Rusia ka një histori të gjatë të përdorimit të të burgosurve për punë dhe në vitin 2017, puna e detyruar u rivendos si një dënim specifik penal.
Po sipas ministrisë, popullata e burgjeve ofron një burim unik njerëzor për udhëheqësit rusë, për ta përdorur si mbështetje për atë që Kremlini e quan, operacion special ushtarak, në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore.
Po kështu instituti për Studime Lufte me qendër në SHBA bëri të ditur se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet me gjasë të gjejë “koka turku” për shkak të problemeve që po has industria ruse e mbrojtjes, në pajisje e teknologji. Instituti solli në vëmendje kritikat publike në televizionin shtetëror që zoti Putin i bëri një prej anëtarëve të kabinetit të tij.
Zoti Putin i tha zëvendëskryeministrit rus Denis Manturov që të “mos luajë rolin e budallait” pasi e pyeti se pse disa agjenci ruse nuk kishin marrë urdhra shtetërorë për personel dhe prodhim, nisur nga kushtet aktuale në të cilat ndodhet Rusia.
Sipas institutit amerikan “ky incident ka të ngjarë të jetë pjesë e një fushate të vazhdueshme informacioni të Kremlinit, për të forcuar imazhin e Putinit, si një udhëheqës i përfshirë në kohë lufte“./voa