Rusia njoftoi të hënën se ka zhvilluar një tjetër provë të suksesshme me raketën e saj hipersonike Zircon, ndërsa fuqitë botërore janë duke konkurruar për ta zhvilluar më tej këtë teknologji të re armatimi.
Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Kina po eksperimentojnë me këto raketa hipersonike që mendohet se arrijnë shpejtësi minimale prej të paktën 5 Mach.
Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se në kuadrin e testimit përfundimtar të raketave hipersonike, luftanija “Admiral Gorshkov” lëshoi një raketë Zircon drejt një objektivi në Detin Barents, në një distancë prej 400 kilometrash.
“Objektivi u godit”, tha ministria ruse, duke e përshkruar provën si të suksesshme.
Kjo lloj rakete u është nënshtruar disa testimeve rishtazi, pasi Rusia synon të pajisë luftanijet dhe nëndetëset me raketat Zircon.
Presidenti rus Putin e zbuloi zhvillimin e kësaj arme të re në një fjalim drejtuar vendit në shkurt 2019, duke thënë se mund të godasë objektiva në tokë dhe në det, me një rreze veprimi prej 1 mijë kilometrash dhe shpejtësi 9 Mach.
Kjo provë nga Rusia vjen pasi në perëndim u njoftua se një raketë hipersonike kineze u lëshua gjatë një fluturimi në muajin korrik dhe arriti mbi Detin e Kinës Jugore një shpejtësi mbi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit.
Deri në atë moment, asnjë nga fuqitë botërore nuk kishte demonstruar një arritje të tillë me një raketë të lëshuar në fluturim e sipër.
Kina i mohoi njoftimet dhe tha se ishte një test rutinë i një paisjeje hapësinore të ripërdorshme.
Rusia ka thënë se po zhvillon disa sisteme armësh që shmangin sistemet ekzistuese të mbrojtjes, si p.sh. raketat ndërkontinentale Sarmat dhe raketat Burevestnik.
Ekspertët perëndimorë kanë arritur në përfundimin se një shpërthim vdekjeprurës në vitin 2019 në një objekt testimi në Rusinë veriore që shkaktoi një rritje të madhe në nivelin e rrezatimit në zonë, ka të bëjë me raketat Burevestnik, të cilat funksionojnë me energji bërthamore.