Sulmet me raketa vijojnë të godasin kryeqytetin ukrainas, Kievin dhe qytetin Kharkiv.
Sipas autoriteteve të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas sulmeve në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
Ndërkohë sipas raportimeve paraprake një raketë ka goditur Policinë rajonale dhe një pjesë të Universitetit Karazin.
Megjithatë, kryebashkiaku i harkivit ka njoftuar se pavarësisht bombardimeve kanë arritur të zmbrapsin ushtarët rusë.
Ndërkohë ka patur raportime për sulme ruse në qytetin Zhytomyr, i cili gjendet 120 kilometra në perëndim të Kievit. Duke lënë të paktën 2 persona të vdekur.
Rreth 25 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit kolona e gjatë e automjeteve ruse te luftes vazhdon te marshoje.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se trupat e saj kanë fituar kontrollin e qytetit Herson, i cili gjendet në jug të Ukrainës . Nëse konfirmohet se Herson ka rënë, ai do të bëhet qyteti më i madh në Ukrainë në duart e rusëve.
Një ditë më parë kulla më e madhe televizive e qytetit është goditur me raketa. Së paku pesë persona kanë humbur jetën.
Raketat kanë goditur një memorial të Holokaustit dhe një klinikë materniteti disa orë pasi ushtria ruse paralajmëroi për sulme me precizion të lartë .
Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 136 civilë janë vrarë prej nisjes së sulmit rus në Ukrainë.Trembëdhjetë fëmijë besohet se janë në mesin e viktimave.
Ndërkohë sipas mediave ruse, negociatat midis delegacioneve me shumë mundësi do të rifillojnë në mbrëmjen e 2 marsit. Kremlini ka shprehur gatishmërinë, por nuk ka një konfirmim nga Kievi.