Rusia kërkon garanci për moszgjerimin e NATO-s në lindje

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rusia kërkon garanci për moszgjerimin e NATO-s në lindje

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se Moska do të kërkonte garanci nga Perëndimi që do të përjashtonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vendosjen e armëve të saj pranë kufirit me Rusinë.

 

Deklarata e presidentit rus erdhi mes shqetësimeve të Ukrainës dhe Perëndimit për një plan të mundshëm të Moskës për të sulmuar Ukrainën. Diplomatët rusë u kundërpërgjigjën të mërkurën duke shprehur shqetësimin për përforcimet ushtarake të Ukrainës pranë zonës së konfliktit me separatistët në lindje të vendit.

 

Advertisement

Duke folur në një ceremoni në Kremlin, ku pranoi letrat kredenciale nga ambasadorët e huaj, zoti Putin theksoi se Rusia do të kërkojë “garanci të forta, të besueshme dhe afatgjata të sigurisë së saj”.

 

“Në dialog me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, ne do të insistojmë në zhvillimin e marrëveshjeve konkrete që do të përjashtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Lindje dhe vendosjen e armëve që na kërcënojnë pranë territorit të Rusisë”, tha zoti Putin.

 

Advertisement

Ai tha se Rusia po i ofron Perëndimit të angazhohet në bisedime të detajuara për këtë çështje, duke shtuar se Moskës do t’i duhen “garanci ligjore në lidhje me sigurinë e saj.” Udhëheqësi rus vuri në dukje se marrëveshje të tilla duhet të marrin parasysh interesat e të gjitha vendeve.

 

Deklarata e zotit Putin erdhi një ditë pasi ai paralajmëroi ashpër NATO-n kundër vendosjes së trupave dhe armëve të saj në Ukrainë, duke thënë se ajo përfaqëson një vijë të kuqe për Rusinë dhe do të shkaktonte një reagim të fortë.

 

Advertisement

Tensionet janë rritur në javët e fundit rreth një grumbullimi të trupave ruse pranë Ukrainës, që ka shqetësuar zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë, të cilët e panë atë si një shenjë të mundshme të synimit të Moskës për të pushtuar fqinjin e saj ish-sovjetik. Ministrat e jashtëm të NATO-s paralajmëruan Rusinë të martën se çdo përpjekje për të destabilizuar më tej Ukrainën do të ishte një gabim i kushtueshëm.

 

Kremlini ka këmbëngulur se nuk ka synime të tilla pushtimi dhe ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë se i kanë bërë këto pretendime në përpjekje për të mbuluar planet e tyre agresive.

 

Advertisement

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përqendrimi i trupave ukrainase është “alarmant”, duke shtuar se ai do ta ngrinte këtë çështje gjatë një takimi ministror në Stokholm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të enjten. Ai sulmoi përsëri Ukrainën për dështimin e saj në përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes së Minskut, të nënshkruar në vitin 2015 me ndërmjetësim të Francës dhe Gjermanisë.

 

“Kievi po bëhet gjithnjë e më i paturpshëm në agresivitetin e tij ndaj marrëveshjes së Minskut, Federatës Ruse dhe në përpjekjet e tij për të nxitur Perëndimin të mbështesë ambiciet e tij ushtarake”, tha Lavrov në komentet në dhomën e lartë të parlamentit rus.

 

Advertisement

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ministria e Jashtme e Rusisë thanë se Blinken dhe Lavrov do të takohen të enjten në Stokholm, ku do të zhvillohet takimi i OSBE-së. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se Blinken do të takohet fillimisht me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba./ Voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy