Rusia godet Kievin me dronë ‘kamikazë’, mes viktimave edhe një grua shtatzënë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një mori dronësh të mbushur me eksplozivë goditën Kievin të hënën në mëngjes, në pikun e lëvizjeve në qytet, duke vrarë të paktën 4 persona.

 

Mediat e huaja raportojnë se mes viktimave është edhe një grua shtatzënë.

 

Advertisement

Ngjarja vjen vetëm një javë pas sulmeve me raketa ruse, të cilat prishën një periudhë qetësie relative që kishte përfshirë kryeqytetin e Ukrainës. Zyrtarët lokalë thanë se sulmet janë kryer me dronë iranianë, të cilët Rusia po i përdorur prej disa javësh tashmë, për të kryer të ashtuquajturat sulme kamikaze. Në një reagim Ambasada amerikane në Kiev i dënoi sulmet ndaj objektivave civilë, duke i cilësuar ato akte të dëshpëruara.

 

Mëngjesi i së hënës e gjeti Kievin të mbuluar nga tymi e paniku. Disa shpërthime rrokën kryeqytetin e Ukrainës, në pikun e lëvizjeve dhe autoritetet thanë se ato ishin sulme me dronë Shaheds, prodhim iranian.

 

Advertisement

Disa prej banorëve nxituan të futen në vendstrehime, të tjerë u vunë në kërkim të të afërmve të tyre, sikurse Elena Mazur.

 

“Erdha pas një telefonate për ndihmë që mora nga mamaja ime, e cila më tha se ishte nën rrënoja. Nuk e di se ku është tani, nuk po e ngre më telefonin. Dikush më tha se një person është dërguar në spital”, thotë ajo

 

Advertisement

Të tjerë rrëfejnë të tmerruar atë çka panë e dëgjuan.

 

“Një dron goditi apartamentin ngjitur. Sinqerisht, nuk kam pasur kurrë kaq frikë në jetën time. Ju as mund ta imagjinoni, sa i fuqishëm ishte shpërthimi, ende po dridhem”, thotë Vitali Dushevskiy, banor i Kievit.

 

Advertisement

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko e cilësoi Rusinë një vend terrorist ndërsa vizitonte një objekt banimi të sulmuar me dron.

 

“Ata po shkatërrojnë infrastrukturën e qytetit tonë, po i lënë njerëzit të ngrijnë në dimër, pa energji elektrike. Rusët duan të krijojnë një katastrofë humanitare. Ky nuk është objekti i parë i banimit që goditet prej tyre duke vrarë njerëz. Janë më shumë se 200 ndërtesa banimi të shkatërruara nga sulmet ruse, ku ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Këto janë sulme terroriste dhe Rusia është një vend terrorist”, tha ai.

 

Advertisement

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se bëhej fjalë për 28 dronë që ishin nisur në drejtim të rajonit të Kievit. Shumë druhen se kjo mund të shndërrohet në një mënyrë të zakonshme sulmi, ndërsa Rusia po kërkon të shmangë shterimin e rezervave të raketave me rreze të gjatë veprimi, e me saktësi të lartë goditëse.

 

Pesë prej dronëve goditën sot kryeqytetin. Autoritetet lokale thanë se kishin arritur të rrëzonin të paktën 13 prej tyre. Sulmet me dronë vijnë pas sulmeve me raketa ruse, një javë më parë, të cilat kishin gjithashtu si objektiv kryeqytetin.

 

Advertisement

Autoritetet ukrainase thonë se Rusia ka përdorur gjithnjë e më shumë dronë iraniane në sulmet e kryera në javët e fundit. Por Irani mohon të ketë furnizuar me dronë Rusinë.

 

Sipas agjencisë Reuters në një prej dronëve shkruhej “për Belgorodin”, çka dukej se i referohej sulmeve të Kievit ndaj një rajoni rus në kufi me Ukrainën.

 

Advertisement

Ambasada amerikane në Kiev i quajti sulmet e së hënës kundër civilëve “të dëshpëruar e të dënueshëm”. Në komentin e saj në Twitter thuhej gjithashtu se Uashingtoni do të vazhdojë te mbështesë Ukrainën për aq kohë aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në mesazhin e tij në rrjetin social telegram Presidenti Volodymyr Zelenskyy shkruante se me gjithë sulmet me dronë e raketa, Ukraina nuk do të thyhet.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy