Rusia ka shpallur fitoren në Bakhmut, qytet në lindje të Ukrainës, ndonëse zyrtarët ukrainas pretendojnë se luftimet vazhdojnë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 21 maj, në Japoni, tha se pak ka mbetur nga Bakhmuti dhe se qyteti është shkatërruar pothuajse plotësisht.
I pyetur nëse Bakhmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ishte plotësisht i qartë, por tha: “Mendoj që jo”, gjë që u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.
“Sot, Bakhmuti është vetëm në zemrat tona”, tha Zelensky në Hiroshimë, ku ishte i ftuar në samitin e grupit G7, ku morën pjesë liderët e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.
Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas më vonë sqaroi se Zelensky nuk deklaroi se qyteti kishte “rënë”.
Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nykyforov, mohoi pretendimet se Bakhmuti kishte rënë në duart e forcave ruse.
Ai i tha CNN-it se përgjigja e Zelenskyt, “mendoj që jo”, i referohej pretendimeve ruse se ata kishin pushtuar qytetin.
“Presidenti mohoi që Bakhmut ishte marrë”, tha Nykyforov.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen disa orë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e ushtrisë private Wagner, të mbështetura nga trupat ruse, kishin marrë Bakhmutin.
Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më herët publikoi një video duke pretenduar se forcat e tij kontrollonin të gjithë qytetin, megjithëse qeveria ukrainase e mohoi shpejt këtë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar ushtarët “për pushtimin e qytetit”, me mesazhin se më të merituarit do të shpërblehen, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Këto pretendimet vijnë pasi Ukraina thuhet se realizoi përparim të prekshëm në fushën e betejës, në rrethet në veri dhe në jug të Bakhmutit.
Këto pretendime, gjithashtu, vinë në kohën kur Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë, e cila pritet në një ose më shumë lokacione përgjatë vijës së betejës, e cila është e gjatë më shumë se 1.000 kilometra.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rus të vrarë dhe të plagosur në Bakhmut , sillet ndërmjet 20.000 dhe 30.000, ndërsa edhe ushtria ukrainase gjithashtu pagoi një çmim të rëndë.
Rusia dhe Ukraina kanë luftuar tash e disa muaj në Bakhmut dhe beteja për atë qytet është më e gjata që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në fund të shkurtit 2022./rel