Kur institucionet shëndetësore ruse miratuan vaksinën Sputnik V kundër koronavirusit ishte një moment krenarie kombëtare për rusët. Shumë shtete anekënd globit në mungesë të vaksinave perëndimore po ashtu nxituan që të marrin furnizime nga Kremlini edhe pse autoritetet ndërkombëtare shëndetësore nuk e kanë dhënë ende miratimin. Sputnik V është ende në pritje të miratimit nga Agjencia Evropiane e Barnave në mënyrë që të hiqen të gjitha kufizimet e udhëtimit për njerëzit e vaksinuar me vaksinën ruse.
Rusët janë frustruar nga kjo pritje e gjatë dhe në kushtet kur duan të bëjnë turizëm në perëndimin, po kërkojnë të injektojnë në trupin e tyre një vaksinë që do t’i lejonte ata të udhëtonin lirshëm. Dhe zgjidhja duket se është gjetur nga mijëra qytetarë ruse që janë dyndur javët e fundit drejt Sërbisë për t’u vaksinuar me vaksinat e njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Një turizëm vaksinal i përmasave të mëdha po lulëzon në Beograd. Serbia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, është një zgjedhje e përshtatshme për rusët sepse ata mund të hyjnë në këtë shtet që e konsiderojnë aleatin e çmuar në Ballkan, pa viza. Udhëtimet e organizuara për rusët që kërkojnë vaksina të aprovuara nga EMA janë rritur dhe ata mund të dallohen lehtësisht në Beograd, nëpër hotele, restorante, bare dhe klinika vaksinimi.
Sipas Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Federatës Ruse, ofertat turistike të vaksinimit për rusët që kërkojnë injeksione të miratuara nga BE u shfaqën në treg në mes të Shtatorit. Çmimet fillojnë nga 260 deri në 605 euro, në varësi të asaj që përfshihet. Sputnik V u shfaq si vaksina e parë në botë kundër COVID-19, në muajin Gusht të vitit 2020 dhe është miratuar në rreth 70 vende, përfshirë Serbinë, por OBSH ka thënë se miratimi global është ende në shqyrtim. Pengesë për aplikimin rus mbeten, mungesa e informacionit të plotë shkencor si mos lejimi i inspektimeve në vendet e prodhimit të vaksinës Sputnik V.
Rusia ka shënuar rekord të ri ditor pasi vdekjet ditore nga COVID kaluan shifrën e 900 personave. Krahas Serbisë, agjencitë turistike ruse tani po ofrojnë turne vaksinimi edhe në Kroaci, ku turistët mund të marrin vaksinën Johnson & Johnson me një dozë, pa pasur nevojë për një dozë të dytë. Serbia prezantoi ofertën për lejimin e vaksinimit për të huajt në muajin Gusht, kur vaksinimi masiv brenda vendit u ngadalësua pasi shifrat ishin nën 50% të popullsisë së rritur. Të dhënat zyrtare të qeverisë serbe tregojnë se deri më tani 160,000 shtetas të huaj janë vaksinuar në këtë vend, por është e paqartë se sa është numri i rusëve.
Edhe në Rusi, shkalla e vaksinimit ka qenë e ulët. Pothuajse 33% e 146 milionë banorëve të Rusisë kanë marrë të paktën një dozë vaksine kundër koronavirusit dhe 29% janë vaksinuar plotësisht. Përveç Sputnik V dhe Sputnik Light, Rusia po përdor edhe dy vaksina të tjera të dizajnuara në vend që nuk janë miratuar ndërkombëtarisht.