Edhe pse sulmet më të mëdha në Ukrainë po zhvillohen në lindje, Donbas, forcat ruse kanë vazhduar bombardimet edhe në qytetet e tjera në të gjithë vendin.
Mëngjesin e kësaj të hënë janë raportuar shpërthime të fuqishme në qytetin perëndimor Lviv, në kufi me Poloninë. Të paktën gjashtë persona, duke përfshirë një fëmijë, raportohet të jenë vrarë në sulmet në objektet ushtarake dhe në një pikë servise të makinave. Lviv,ndodhet në perëndim të vendit edhe ishte një ndër qytetet që nuk ishte prekur nga lufta.
Po ashtu shpërthime janë dëgjuar edhe në Kiev. Nuk bëhet ende e ditur nëse ka patur të plagosur apo viktima nga sulmet ajrore. Edhe Kharkiv në veri dhe qyteti jugor i Mykolaiv, pranë portit të Odesa, janë shënjestruar nga raketat. Autoritetet ukrainase u kanë kërkuar banorëve të rajonit të Luhanskut në lindje që të evakuohen menjëherë, duke thënë se ky mund të jetë “shansi i tyre i fundit” për t’u larguar në mënyrë të sigurt.
Ndërkohë,forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës. Moska ka njoftuar se do të mbylle hyrjet dhe daljet nga qyteti, ndërsa qytetarët do të lëvizin më një leje të posaçme. Por një gjë e tillë është mohuar nga autoritetet ukrainase që kanë deklaruar se po mbrojnë ende qytetin. Ata janë zotuar se do të “luftoj deri në fund”. Nëse Mariupoli bie në duart e ruseve, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe deri tani.