Vladimir Putin , i cili ka drejtuar Rusinë për një çerek shekulli, u rizgjodh me 87%, 10 pikë më shumë se në zgjedhjet e 2018.
Rezultatet zyrtare do të shpallen të enjten. Teksa BE dhe SHBA theksojnë se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve nuk ishte demokratike, kishte edhe nga ato vende që nuk nguruan ta urojnë për rizgjedhjen.
Kush e uroi Putinin?
Kryeministri indian, Narendra Modi uroi sot Vladimir Putin për rizgjedhjen e tij si president i Rusisë dhe bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve, sipas tij të veçanta dhe të privilegjuara, midis dy vendeve.
“Mezi pres të punojmë së bashku për të forcuar më tej partneritetin e veçantë dhe të privilegjuar mes Indisë dhe Rusisë në vitet e ardhshme”, tha kryeministri indian në një postim në Platformën X.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un po ashtu e uroi Putin për rimarrjen e një tjetër mandati.
Putinin e uruan edhe liderët e Venezuelës, Nikaraguas, Kubës dhe Bolivisë.
Ndërkohë, Kina uroi sot Vladimir Putinin pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, duke shprehur besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të përparojnë në vitet e ardhshme.
“Kina shpreh urimet e saj,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian, duke shtuar: “Ne kemi besim se nën udhëheqjen strategjike të Presidentit Xi Jinping dhe Presidentit Putin, marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë do të vazhdojnë të përparojnë.”
Gjithashtu, presidenti iranian, Ebrahim Raishi uroi sot homologun e tij rus Vladimir Putin për “fitoren e tij të thellë” në zgjedhjet presidenciale.
“Presidenti i Republikës Islamike të Iranit e uroi sinqerisht Vladimir Putinin për fitoren e tij të fortë dhe rizgjedhjen e tij në presidencën e Federata Ruse”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve./vizionplus.tv/