Agjencia Evropiane e Barnave pritet t’i japë sot dritën jeshile vaksinës kundër koronavirusit, të zhvilluar bashkërisht nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, dhe ajo gjermane, BioNTech.
Miratimi i agjencisë do t’iu hapë rrugën 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të nisin vaksinimin përpara fundit të vitit.
Sapo të miratohet, Komisioni Evropian pritet të nënshkruajë zyrtarisht përdorimin e vaksinës.
Agjencia e Barnave ka planifikuar ta marrë vendimin javën e ardhshme, por ajo është vënë nën presion nga vendet e BE-së, pasi Britania e Madhe, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar vaksinën më shpejt.
Agjencia Evropiane e Barnave do të vendosë edhe për vaksinën e kompanisë Moderna, më 6 janar.
Vaksina Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë 95 për qind efektive në fazën e fundit të testimit.
Vaksina Moderna, e cila përdor teknologji të ngjashme, është 94 për qind efektive.
Të dyja vaksinat duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh./ REL