Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është evakuuar nga qyteti siberian Omsk dhe është nisur drejt Gjermanisë për trajtim mjekësor.
Një avion provat i organizatës joqeveritare gjermane, Cinema For Peace, e ka dërguar Navalnyn nga Omsk për në Berlin, ku Navalny – i cili dyshohet se është helmuar – do të marrë trajtimin shëndetësor.
“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.
Yarmysh ka publikuar një fotografi të Navalnyt teksa ai – i vendosur në një barelë – futet në avion së bashku me gruan e tij.
Navalny është në gjendje kome, që prej se u sëmurë pas dyshimeve për helmim më 20 gusht. Në momentin kur u sëmurë, ai ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian, Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin udhëtonte, më pas u detyrua që të bëjë një aterim urgjent në Omsk, që po ashtu gjendet në Siberi.
Familja e Navalnyt dhe aleatët e tij kanë luftuar që ta transferojnë atë në Gjermani për trajtim mjekësor, por doktorët rusë, që po e trajtonin, për orë të tëra refuzuan që ai të largohej nga spitali në Omsk, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë që ai të udhëtonte.
Gruaja e Navalnyt, më herët i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të lejojë që burri i saj të transferohet në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor.
“Zyrtarisht ju bëj thirrje ju (Putin) që të lejoni transportin e Navalnyt për në Gjermani”, deklaroi Yulia Navalnaya më 21 gusht.
Fillimisht, Kremlini deklaroi se vendimi për të mos lejuar transferimin e Navalnyt për në Gjermani ishte krejtësisht për shkaqe shëndetësore. Por, mbështetësit e Navalnyt argumentuan se autoritetet ruse po dëshirojnë që të blejnë kohë, në mënyrë që gjurmët e helmit të mos gjenden më në trupin e liderit opozitar, në kohën kur ai të transferohet jashtë vendit.
Pasi Navalny u lejua që të udhëtojë për në Gjermani, Qeveria gjermane tha se jeta e tij duhet të shpëtohet.
“Prioriteti kryesor është që jeta e zotit Navalny të shpëtohet dhe ai të shërohet”, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.
Ende nuk ka asnjë diagnozë të saktë për gjendjen e Navalnyt, por ekipi i tij dyshoh se ai është helmuar për shkak të aktiviteteve të tij.
Yarmysh beson se politikani opozitar u helmua, pasi në çajin që ai bleu në aeroportin e Tomsk, iu hodh diçka brenda.
Por, drejtori i spitalit në Omsk, Aleksandr Murakhovsky u ka thënë gazetarëve se gjendja e tij mund të jetë shkaktuar për shkak të çrregullimeve që kanë të bëjnë me metabolizmin./R.E.L
The post Rivali i Putin niset drejt Gjermanisë për trajtim mjekësor appeared first on Vizion Plus.