Rëndohet bilanci i viktimave në Filipine, pasi vendi u godit nga një tajfun i fuqishëm. Autoritetet bënë të ditur se numri i personave që kanë humbur jetën nga stuhia e fortë ka shkuar në 208, ndërsa dhjetëra të tjerë janë ende në kërkim.
Shumica e viktimave raportohet se u goditen nga pemët dhe muret që u rrëzuan. Të tjerët u mbyten nga vërshimet e ujit apo u bllokuan nën gërmadha pas rrëshqitjeve të dheut.
Tajfuni “RAI” , dyshohet se është stuhia më e fortë që ka goditur Filipinet gjatë këtij viti. Stuhia shkaktoi dëme të mëdha duke shkatërruar linjat e komunikimit në disa qytete dhe provinca të vendit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po hasin vështirësi të arrijnë në zonat e thella, ndërsa qindra njerëz kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe ushqim. Shtëpi, spitale dhe shkolla në zonat bregdetare u shkatërruan plotësisht.
Tajfuni “RAI” goditi Azinë Juglindore të premten, ku erërat arritën shpejtësi deri në 195 kilometra në orë.