Pas Austrisë, edhe pesë vende të tjera të BE kanë pezulluar vaksinën e kompanisë anglo-suedeze Astrazeneca lidhur me dyshimet se produkti shkakton mpiksjen e gjakut. Danimarka, Estonia, Letonia, Lituania dhe Luksemburgu kanë regjistruar një numër shqetësues rastesh me këtë problematikë ndërsa në Austri, një infermiere 49 vjecare humbi jetën.
Autoriteti Danez i Shëndetësisë në një deklaratë bëri të ditur se përdorimi i Astrazenecas do të pezullohet për dy javë dhe shtoi se për momentin nuk është përcaktuar nëse ekziston një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut.
Së fundmi kompania ka shpërndarë një milion doza në 17 vende të unionit.
Sipas Agjensisë europiane të barnave, që nga 9 Marsi, në Zonën Ekonomike Europiane janë raportuar 22 raste të mpiksjes së gjakut midis më shumë se tre milion njerëzve të vaksinuar. Kjo do të thotë që vaksina nuk është përgjegjëse për rastet e regjistruar por hetimi i afekteve anësore serioze duhet të jetë i vazhdueshëm.
Ndërkohë rregullatori europian miratoi edhe vaksinën e katërt kundër koronavirusit, Johnson & Johnson, të prodhuar në SHBA.
Bashkimi europian tashmë ka porositur 200 milionë doza të kësaj vaksine e cila merret përmes një injeksioni, mund të ruhet në një frigorifer standard dhe është vlerësuar 85% efektive.