Udhëheqësit perëndimorë diskutuan me presidentin e SHBA, Joe Biden në samitin e NATO-s, ku një sërë temash të rëndësishme duhej të shqyrtoheshin.
Por këtë herë, veçmas gjeopolitikës, vëmëndjen e mori Biden, i cili kërkon të votëbesohet në një tjetër mandate.
Liderët e vendeve perëndimore duket se janë shprehur të shqetësuar, mes të tjerash, edhe për moshën dhe aftësinë e presidentit amerikan për të shërbyer një mandat tjetër.
Thirrjet që Biden të largohet nga gara presidenciale këtë nëntor po rriten dhe në mesin e shumë polemikave mbi aftësinë e tij, Biden dëmtoi sërish imazhin duke bërë të tjera gafa në samit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Biden ishte “i ngarkuar”, por i qartë për çështjet që i njeh mirë, ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer tha se ai ishte “në formë të mirë”.
Por gafa e parë e Biden, në të cilën ai prezantoi udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky si President Putin, u kthye në objekt talljeje në mediat ruse.
Dhe më vonë në një konferencë shtypi, paraqitja e parë publike e Biden që nga debate me Trump, shënoi një tjetër gafë.
Ai referua “Zëvendëspresidentit Trump” kur donte të thoshte Kamala Harris.
Presidenti amerikan ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqjen që nga një performanca mjaft e dobët dy javë më parë në një debat me rivalin e tij republikan në zgjedhjet e ardhshme, Donald Trump.
Por gjatë gjithë samitit, udhëheqës të tjerë të NATO-s e kanë mbrojtur atë dhe aftësinë e tij për të udhëhequr.
Macron, duke folur pas darkës së Shtëpisë së Bardhë të së enjtes, tha se kishte pasur një diskutim të gjatë me Biden dhe bëri thirrje për të mirëkuptuar gabimet e tij.
“Të gjithë bëjmë lapsuse ndonjëherë, më ka ndodhur edhe më parë, ndoshta do të më ndodhë nesër. Unë do t’ju kërkoja të tregoni të njëjtën butësi që duhet treguar midis njerëzve të kujdesshëm”, tha Macron.
Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dha një koment për gafat e Biden.
“Ndodhin të tilla lapsuse. Nëse i monitoroni gjithmonë të gjithë, do të gjeni mjaft lapsuse tek kushdo”, tha ai.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir, tha në mënyrë të përsëritur gjatë samitit se presidenti amerikan kishte arritur shumë, ndaj duhet të jetë krenar.
“Kemi kaluar dy ditë gjatë këtij këshilli dhe kemi arritur në një rezultat shumë të mirë… Dhe unë mendoj se atij [Biden] duhet t’i jepen merita për këtë”, tha ai.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ishte një privilegj dhe kënaqësi të punonte me Biden.
“Përvoja [e Bidenit], mendësia e tij, qëndrueshmëria e tij për çështjet dhe sfidat më të mëdha të kohës sonë është një meritë për punën që ne të gjithë po bëjmë së bashku,” tha ai.
Presidenti polak Andrzej Duda, i konsideruar si i afërt me ish-presidentin Trump, tha, cituar nga AFP: “Kam biseduar me Presidentin Biden dhe nuk kam dyshim se gjithçka është në rregull”.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orban thuhet se nuk bëri thuajse asnjë koment për mediat në Uashington.
Në vend të kësaj, ai u largua menjëherë pas përfundimit të samitit për në Mar-a-Lago, rezidenca e Trump në Florida, ku të dy folën për luftën në Ukrainë.
“Ne diskutuam mënyrat për të bërë paqe,” tha Orban në mediat sociale. “Lajmi i mirë i ditës: ai [Trump] do ta zgjidhë!”
Por nëse liderët e vendeve aleate nuk kanë qenë të gatshëm të kritikojnë presidentin amerikan për dobësitë e tij, Moska ka qenë e përmbajtur.
Televizioni zyrtar Rossiya e nisi edicionin qëndror me gafat e Biden, ndërsa nuk mungoi as satira.
“Vasalët e Amerikës pretenduan se nuk kishin vënë re asgjë”, thuhej në lajm.“Gafa e fundit është e denjë për një Oscar”.
E përditshmja e njohur Moskovsky Komsomolets botoi një artikull me titull “Udhëheqësit senile”, duke e krahasuar Joe Biden me udhëheqësit e moshuar komunistë të BRSS.
“Çfarë është më e rrezikshme, një majmun me një granatë apo një dorë që dridhet në butonin bërthamor?” thuhej mes të tjerash./vizionplus.tv