Ish-kreu i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal u deklarua fajtor të martën për një nga akuzat e ngritura ndaj tij.
Konkretisht, McGonigal ka pranuar fajësinë për akuzën e komplotit për llogari të oligarkut rus Oleg Deripaska, të sanksionuar në vitin 2021.
Ai iu përgjigj një sërë pyetjeve të martën në lidhje me skemën e paligjshme për Deripaska.
McGonigal tha para trupit gjykues se është “thellësisht i penduar” për veprimet e tij.
“Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi”, është shprehur ai, raporton CNN.
“Kam rënë dakord me një palë tjetër për të mbledhur informacion nënçmues për një oligark rus të quajtur Vladimir Potanin, i cili ishte një konkurrent biznesi i Oleg Deripaska.
E dija se Deripaska ishte vendosur në listën e sanksioneve nga qeveria amerikane. Unë e kuptoja se informacioni që mblodha në fund do të përdorej për ta futur Potanin në listën e sanksioneve të SHBA-së.
E kuptova që puna që bëra do t’i jepte njëfarë përfitimi Deripaskas dhe sipas ligjit të SHBA-së, nuk duhej t’i ofroja asnjë shërbim Deripaskës, qoftë edhe indirekt,” ka deklaruar ish-zyrtari i FBI-së.
Me pranimin e fajësisë, McGonigal mund të përballet me një dënim maksimal prej pesë vjetësh. Data e gjyqit është caktuar të mbahet më 14 dhjetor.