Anija e dytë e mbushur me ndihma ushqimore është e gatshme të niset nga Qipro drejt Rripit të Gazës të shtunën, tha presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides.
Anija e parë me ndihma ushqimore mbërriti në enklavën e rrethuar palestinezeve të premten mbrëma.
Gati 200 tonë ushqim mbërritën dje në enklavë përmes rrugës së re detare drejt Gazës, e cila është shkatërruar nga tashmë një fushatë pesëmujore ushtarake e Izraelit.
“Anija e parë është nisur të kthehet në Qipro, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim anijen e dytë”, tha Christodoulides të shtunën.
Anija e dytë, me 240 tonë ndihma, është ankoruar në portin e Larnacës në pritje të dritës jeshile për të lundruar.
Ngarkesa e re përmban ushqime të konservuara dhe shumë produkte të tjera.
Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje, shkruan Radio Evropa e Lire.
Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute. Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.
Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.
Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.