Presidenti Biden kritika republikanëve që nuk dënojnë sulmin e 6 janarit ndaj Kongresit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Presidenti Joe Biden kritikoi ashpër të martën ligjvënësit republikanë që mbështesin lëvizjen e ish-Presidentit Trump dhe që kanë refuzuar të dënojnë sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe që tashmë sulmojnë FBI-në. Presidenti Biden po përpiqet t’i portretizojë demokratët si mbështetësit e vërtetë të agjencive të zbatimit të ligjit, ndërkohë që po afrohen zgjedhjet e mesmandatit në muajin nëntor.

 

Gjatë fjalimit që ishte paraqitur fillimisht si në lidhje me përpjekjet për parandalimin e krimit, Presidenti Biden përmendi komentet e aleatëve të ish-Presidentit Donald Trump, të cilët kanë bërë thirrje për shkurtimin e fondeve të FBI-së, që nga momenti kur agjencia zbatoi një urdhër kontrolli në rezidencën e ish-presidentit në Florida.

 

Advertisement

Fjalimi i Presidentit Biden është mbrojtja e parë domethënëse që ai i ka bërë FBI-së që nga kontrolli i 8 gushtit në Mar-a-Lago, që ngjalli jo vetëm kritika të ashpra ndaj agjencisë, por edhe kërcënime për dhunë ndaj punonjësve të saj.

 

Presidenti Biden kritika republikanëve që nuk dënojnë sulmin e 6 janarit ndaj Kongresit

“Është e neveritshme të shikosh sulmet e reja ndaj FBI-së, kërcënimin me jetë të zbatuesve të ligjit dhe familjarëve të tyre, për shkak se thjesht zbatuan ligjin dhe bënë punën e tyre”, tha Presidenti Biden përpara një turme të mbledhur në Universitetin Wilkes në Pensilvani.

 

Advertisement

Ky është dukshëm një ndryshim takti nga Presidenti Biden, i cili i është shmangur komenteve të zgjeruara për strukturat hetimore të Departamentit të Drejtësisë, që kur agjentët federalë bënë kontrollin në rezidencën e ish-Presidentit Trump. Megjithëse nuk ja përmendi emrin, Presidenti Biden u duk se veçoi komentet e bëra rishtazi nga Senatori republikan Lindsey Graham, i cili paralajmëroi për “trazira nëpër rrugë”, nëse ish-Presidenti Trump do të përballej me akuza penale.

 

“Ideja që ndez televizorin dhe shikon senatorë dhe ligjvënës kryesorë duke thënë se ‘nëse ndodh kjo apo jo, do të ketë gjak nëpër rrugë’? Ku dreqin jemi?”, tha Presidenti Biden.

 

Advertisement

Fjalimi i së martës ishte vazhdimësi e retorikës së fortë të Presidentit Biden ndaj Partisë Republikane, ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit, dhe ndërsa demokratët po përjetojnë një mjedis më të çelët politik, të inkurajuar nga arritje domethënëse legjislative dhe një nivel miratimi për presidentin që ka filluar një orientim të lehtë drejt rritjes.

 

Gjatë një tubimi politik javën e kaluar në rrethinat e Uashingtonit, Presidenti Biden krahasoi ideologjinë republikane me një “gjysmë-fashizëm”. Ai pritet të mbajë të enjten në Filadelfia një fjalim të përqëndruar tek demokracia, fjalim për të cilin Shtëpia e Bardhë ka thënë se “do ta bëjë të qartë” se kush po lufton për vlerat demokratike.

 

Advertisement

Siç ka vepruar edhe më parë, Presidenti Biden kritikoi të martën zyrtarët republikanë që kanë refuzuar të denoncojnë pjesëmarrësit në trazirat pro-Trump që hynë me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara rreth 20 muaj më parë. Duke iu referuar slloganit të ish-Presidentit Trump “Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore – MAGA”, Presidenti Biden tha: “Lejomëni t’u them këtë gjë miqve të mi republikanë MAGA në Kongres: Mos më thoni se mbështesni zbatimin e ligjit, nëse nuk dënoni atë çfarë ndodhi në datën 6”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy