Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, deklaroi se do të zbatojë afatin e 31 gushtit për të tërhequr të gjitha trupat ushtarake nga Afganistani i cili është aktualisht nën pushtimin e talebanëve.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi se përfundimi i transportit ajror varet nga vazhdimi i bashkëpunimit të talebanëve dhe lejimi i qasjes në aeroport pa ndërprerje të operacioneve.
JOE BIDEN
PRESIDENT I SHBA-së
“Po ecim me ritmet e duhura për t’u tërhequr plotësisht brenda 31 gushtit. Sa më parë të përfundojmë, aq më mirë. Me çdo ditë që kalon vijnë rreziqe të reja për trupat tona. Talebanët po bashkëpunojnë dhe siguria është ruajtur. Por është një situatë e brishtë.”.
Presidenti amerikan vuri në dukje së rreziqet për sulme terroriste ndaj aeroportit në Kabul dhe forcave ushtarake janë në rritje.
“Çdo ditë që jemi në këtë vend është një ditë tjetër kur e dimë se dega e ISIS-it në Afganistan përpiqet të mësyjë aeroportin dhe të na sulmojë ne dhe forcat aleate si dhe civilët e pafajshëm. Jemi në një rrezik serioz që të mos arrijmë ta ruajmë dot sigurinë në rrjedhën e ditëve”.
Një ditë më parë vendet e G7, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA debatuan për datën e tërheqjes së trupave.
Takimi përfundoi me vendimin e presidentit Biden për të zbatuar afatin. Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, tha pas takimit se evakuimi do të vazhdojë përsa kohë do të kenë nën kontroll situatën në aeroportin e Kabulit.
Talebanët kanë lejuar që transporti ajror të vazhdojë pa ndërhyrje të mëdha deri më tani. Por në një konferencë shtypi, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se grupi i tij nuk do të pranojë “asnjë zgjatje” të afatit përtej 31 gushtit.