Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo akuzoi Rusinë për minimin e demokracive në Europë dhe dezinformim, ndërsa Kinën për fushatë të shantazhit në mënyrë që të fitojë ndikimin në botë. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ceki, Pompeo i bëri thirrje vendeve europiane që të mbrojnë parimet e demokracisë dhe të kujdesen më shumë për sovranitetin e tyre.
MIKE POMPEO
SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT
“Shtypja naziste dhe sovjetike gjatë shekullit të kaluar e kanë bërë popullin çek shumë të vetëdijshëm për shtypjen që sjellin për popullatën regjimet totalitare. Populli çek e kupton se historia na përcjell mësime dhe na ndihmon të mbrojmë liritë e sotme. Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e Rusisë për të korruptuar demokracinë e për të shkatërruar Aleancën Perëndimore por kam besim të plotë se liria do të fitojë”.
Sekretari Pompeo u bëri thirrje vendeve kudo në Europë që të bashkohen kundër Partisë Komuniste Kineze, për të cilën ai tha se përdor fuqinë ekonomike për të ushtruar ndikimin e saj në të gjithë botën.
“Fuqia ekonomike globale e Kinës e bën këtë vend komunist në disa kuptime një armik më të vështirë për t’u kundërshtuar sesa Bashkimi Sovjetik i Luftës së Ftohtë. Ajo që po ndodh tani nuk është Lufta e Ftohtë Numër 2. Sfida për t’i rezistuar kërcënimit të Partisë Komuniste Kineze është në disa kuptime shumë më e vështirë pasi është futur në ekonomitë tona, në politikat dhe në shoqëritë tona në mënyra që Bashkimi Sovjetik nuk mund ta bënte dot”.
Ky qëndrim vjen pas komenteve të bëra nga ambasadori i kinës në Londër muajin e kaluar, i cili paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të luftojnë me Pekinin në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit.
Vizita e Mike Pompeo në Republikën Çeke shënon ndalesën e tij të parë të një turneu në Europën Qendrore, i cili do të vijojë në Slloveni, Austri, dhe përfundon të shtunën në Poloni.
The post Pompeo: Ruani demokracinë, Kina e Rusia po përpiqen të influencojnë në Europë appeared first on Vizion Plus.