Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbërriti në Izrael të hënën për të filluar një turne pesë-ditor në Lindjen e Mesme.
Vizita e tij fokusohet në normalizimin e lidhjeve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përpjekjeve për t’i nxitur shtetet e tjera arabe të veprojnë në këtë mënyrë.
Pompeo, i veshur me një maskë për fytyrën me ngjyrat e flamurit të SHBA-së, pritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe në ditët në vijim do të vizitojë gjithashtu Sudanin, Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Departamenti i Shtetit.
Uashingtoni dhe aleati i tij i ngushtë Izraeli, shpresojnë që shteti hebre së shpejti do të jetë në gjendje të normalizojë lidhjet me vendet e tjera të rajonit, përfshirë disa që kanë armiqësi të thellë me Iranin, raporton AFP.
Në Jerusalem, Pompeo dhe Netanyahu do të diskutojnë “çështjet e sigurisë rajonale në lidhje me ndikimin e Iranit” dhe “krijimin dhe thellimin e marrëdhënieve të Izraelit në rajon”, tha Departamenti i Shtetit.
Netanyahu tha të dielën se ai dhe Pompeo do të flisnin për “zgjerimin e rrethit të paqes në rajon”.
Izraeli më parë kishte nënshkruar vetëm traktate paqeje me Egjiptin dhe Jordaninë, të cilat ndryshe nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë kufijtë me Izraelin dhe teknikisht kishin qenë në luftë me shtetin hebre.
Plani i paqes i presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme, i njoftuar në janar, mbështet bashkëpunimin midis Izraelit dhe atyre vendeve arabe të cilat, sikurse Izraeli, e shohin Iranin si armikun e tyre kryesor dhe e akuzojnë atë për nxitjen e konflikteve rajonale./R.E.L
The post Pompeo fillon turneun në Lindjen e Mesme me vizitën në Izrael appeared first on Vizion Plus.