Në Shqipëri policia është vënë në kërkim të shtetastit turk Faruk Ozer, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, i cili rezulton të ketë mbyllur aktivitetin pasi ka grumbulluar një shumë prej 2 miliard dollarësh nga 391 mijë investitorë.
Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje me kërkesë të palës turke, e cila më 23 prill lëshoi dhe një mandat arresti ndërkombëtar ndaj 28 vjeçarit. Ministri i Brendshëm turk bisedoi personalisht në telefon me homologun shqiptar Bledi Çuci, pak ditë më parë.
Sipas mediave turke 28 vjeçari i ka konsideruar akuzat “të pabaza”, dhe ka shpjeguar se gjendej në Shqipëri për takime pune. Ozer, ishte kapur fillimisht nga kamerat e sigurisë së aeroportit të Stambollit ndërsa po linte vendin. Burime të Zërit të Amerikës, shpjeguan se ai rezulton të ketë hyrë në territorin shqipar nga aeroporti “Nënë Tereza” më datë 20 Prill, dhe se nuk figuron në rregjistrat e personave që kanë dalë nga kufiri.
Mësohet se Ozer ka patur takime në Tiranë, dhe pikërisht për këtë policia ka ushtruar sot kontrolle në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë së mesme, por pa rezultat.
Një ditë pasi i riu kishte lënë Turqinë, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Një njoftim që vuri në alarm investitorët e kësaj platforme të cilëve nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Ndërsa themeluesi i saj ishte larguar, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.
I riu 28 vjeçar kishte mundur të tërhiqte interesin e dhjetra mijëra personave, falë një fushate masive publicitare për blerjen e kriptovalute Dogecoin me rreth një të katërtën e e çmimit, duke premtuar ndër të tjera bonuse të ndryshme mes të tjerash dhe autovetura luksoze. Shumë prej investitorëve duket se janë joshur dhe nga mundësia për të investuar në monedhën vendase, “lira”, e cila është zhvlerësuar në minimumin historik ndaj euros dhe dollarit./ VOA