Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës përfundojnë raundin e tretë të negociatave për luftën, thotë ambasada ruse.
Sipas The Guardian takimi ka përfunduar me “zhvillime të vogla pozitive” në lidhje me korridoret e mundshme humanitare.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se një negociator ukrainas konfirmoi se kishte pasur zhvillime të vogla. Bëhet fjalë për negociatorin Mykhailo Podolyak i cili tha se bisedimet nuk “përmirësuan ndjeshëm situatën” në tërësi.
Krijimi i korridoreve për evakuimin e civilëve nga qytetet e shkatërruara nga lufta ka rezultuar i vështirë ditët e fundit, me Ukrainën që akuzon Rusinë për vazhdimin e bombardimeve të saj. Civilë, duke përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë përpjekjes për të ikur nga vendi si pasojë e pushtimit rus.