Përfundojnë ndërtimet në tubacionin rus Nord Stream 2

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Përfundojnë ndërtimet në tubacionin rus Nord Stream 2

Sipas kompanisë ruse Gazprom, tubacioni i diskutueshëm në Detin Baltik për gazsjellësin Nord Stream 2 është gati. Ndërtimi i Nord Stream 2 përfundoi të premten (10.09) në mëngjes, tha shefi i Gazprom, Alexei Miller. Ndërsa gypi i fundit u vendos me 6 shtator. Kanë mbetur edhe disa punime të vogla, por në thelb, puna ka përfunduar.

Për Gazpromin dhe investuesit e tjerë, Nord Stream 2 është një përparim i madh, megjithë faktin se përfundoi një viti e gjysmë vonesë. Certifikimi nga autoritetet gjermane është ende i nevojshëm për funksionimin e linjës. Pritet që monopolisti rus i gazit Gazprom të dërgojë sasitë e para të gazit natyror përmes gazsjellësit të ri në Gjermani në tetor, fillimisht duke përdorur linjën e përfunduar në qershor.

Punimet e vonuara

Mbi të gjitha, rezistenca e SHBA-së, e cila kërcënoi, e madje edhe vendosi sanksione kundër menaxhmentit,  i ka vonuar ndërtimet, të cilat ishin të parashikuara të përfundojnë në vitin 2019. Punimet në Nord Stream 2 kanë filluar në vitin 2018. Tubacioni pritet të sjellë 55 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia përmes Detit Baltik në Gjermani.

Advertisement

Sipas të dhënave të kompanive, kjo mund të furnizojë 26 milionë familje me gaz. Kostot e ndërtimit të tubacionit 1.230 kilometra të gjatë, i cili ka dy linja, llogariten me më shumë se dhjetë miliardë euro. Gjysma e linjës është financuar nga gjiganti energjetik rus Gazprom, e gjysma tjetër nga pesë kompanitë evropiane OMV, Wintershall Dea, Engie, Uniper dhe Shell.

Gazprom planifikon të dërgojë këtë vit rreth 5,6 miliardë metra kub gaz përmes tubacionit. Nord Stream 2 kalon nga Vyborg në Rusi përmes Detit Baltik në Lubmin pranë Greifswald në Mecklenburg-Pomerani.

Projekti është i diskutueshëm. Qeveria amerikane kritikon se Evropa po bëhet kështu gjithnjë e më e varur nga Rusia për furnizimin e saj me energji. Një marrëveshje gjermano-amerikane përcakton që Rusia do t’i nënshtrohet sanksioneve nëse tubacioni përdoret si një “armë” gjeopolitike.

Grindjet rreth ndërtimit

Advertisement

Rusia ka ndërtuar Nord Stream 1, e tani edhe Nord Stream 2, me qëllim që të pavarësohet nga Ukraina, si një vend deri tani shumë i rëndësishëm tranzit i gazit natyror për në Evropë. Këto dy vende janë thellësisht të përçara mes tyre. Për më tepër, Moska ka kritikuar Kievin se nuk po bën asgjë për të rregulluar tubacionet që kalojnë përmes këtij vendi.

Ukraina e dobët financiarisht, nga ana tjetër, është shumë e varur nga të ardhurat prej miliarda euro për kalimin e gazit nëpër territorin e vendit. Ukraina druan humbjet  e mëdha dhe shpreson se do të ketë mbështetjen e Gjermanisë, në mënyrë që ajo të mund të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm, si një vend tranzit edhe në të ardhmen. Kontrata aktuale për kalimin e gazit rus nëpër Ukrainë drejt Evropës përfundon në vitin 2024. Ukraina dëshiron ta zgjasë këtë kontratë, me ndërmjetësimin gjerman.

Por presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se tranziti i gazit rus përmes Ukrainës do të varet nga kërkesat në tregun evropian të energjisë. Ai gjithashtu nënvizon se Rusia nuk është përgjegjëse për buxhetin e shtetit të Ukrainës./ DW

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy