Aleatët perëndimorë hodhën poshtë të enjten (16 dhjetor) përpjekjen e Rusisë për të penguar ambiciet e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe i kërkuan Moskës që t’u kthehej bisedimeve të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania për të zbutur tensionet në rritje në kufirin Rusi-Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin po shtyn për dialog të drejtpërdrejtë me administratën e homologut të tij amerikan, Joe Biden për të zgjidhur problemin në kufi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e cilësoi Rusinë si “agresore”, duke përsëritur akuzën se Moska ka grumbulluar forca të mëdha në kufirin e Ukrainës.
Edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, shumica e të cilëve janë nga vendet që janë gjithashtu aleatë të NATO-s, paralajmëruan për sanksione masive ekonomike nëse Rusia ndërmerr veprime ushtarake.
Duke u takuar në Bruksel në një samit të BE-së, liderët evropianë kërkuan një kthim në “Formatin e Normandisë”, një dialog katërpalësh midis Parisit, Berlinit, Kievit dhe Moskës që synon t’i japë fund konfliktit.
Të mërkurën, Rusia i dorëzoi një listë kërkesash sigurie Ndihmës Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Karen Donfried, e cila më pas erdhi në selinë e NATO-s në Bruksel të enjten për t’i diskutuar ato me Stoltenberg.
Shefi i NATO-s u takua gjithashtu me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe mbajti një konferencë të përbashkët shtypi për të këmbëngulur se çdo vendim për anëtarësimin është një çështje e Kievit dhe 30 vendeve anëtare të aleancës.
“Ne nuk do të bëjmë kompromis për të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj. Ne nuk do të bëjmë kompromis për të drejtën e NATO-s për të mbrojtur të gjithë aleatët e NATO-s,” tha Stoltenberg.
Ai tha gjithashtu se nuk do të kishte asnjë kompromis për partneritetin e NATO-s me Ukrainën, duke e përshkruar atë si të rëndësishëm për të dyja palët dhe “në asnjë mënyrë nuk është një kërcënim për Rusinë”.
Pse Rusia e Putinit është kaq e fokusuar në Ukrainë?
Të mërkurën, Zelensky mori pjesë në një samit me liderët e BE-së, shumica e vendeve të të cilëve janë gjithashtu anëtarë të NATO-s dhe tha se shumica e tyre e kuptuan dhe mbështesin pozicionin e Ukrainës në konflikt.
Por ai është i irrituar që fuqitë evropiane në veçanti kanë refuzuar të ndërmarrin veprime parandaluese kundër Rusisë, duke preferuar vetëm të kërcënojnë me një përgjigje në rast të veprimit rus.
Të mërkurën, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov i tha Donfried se NATO duhet të ndalojë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe të tërheq një premtim se Ukraina mund të bëhet një kandidat për anëtarësim.
Putini dëshiron të bisedojë drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara për tensionet e tij me Kievin, duke kërkuar garanci sigurie si një kusht të nënkuptuar për të ulur tensionin.
Por liderët perëndimorë theksojnë atë që ata thonë se është mobilizimi masiv i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërcënuar me sanksione “masive” ekonomike në rast të një pushtimi./ Rel