Tashmë ka mbetur në prapavijë, pas një karriere të gjatë si lojtar dhe trajner. Megjithatë, José Pékerman ka mjaft anekdota për të treguar. Ai është trajneri më i suksesshëm në historinë e Kupave të Botës U-20 (fitoi tre tituj të tillë midis viteve 1994 dhe 2001).
Po ashtu, drejtoi për një kohë ekipin e parë kombëtar të Argjentinës dhe pastaj përfundoi në stolin e Kolumbisë, të cilën e menaxhoi nga viti 2012 deri më 2018. Pekerman ka dhënë një intervistë për “Marca Claro”, në të cilën ka shqyrtuar shumë aspekte që lidhen me kohën e tij si futbollist, gjithashtu me drejtimin e disa prej lojtarëve më të mirë në planet, si Leo Messi.
Ylli i Barcelonës mori pjesë në të parën Kupë Bote më 2006, nën drejtimin e Pekerman, por nuk pati ndikimin që pritej. Pekerman sqaron:
“Të gjithë kanë të drejtë të mendojnë atë që duan. Kur shkuam në Kupën e Botës 2006, Leo nuk ishte ende i konsoliduar te Barcelona. Sigurisht që përbënte lajm me çdo veprim të tij, por nuk ishte një lojtar bazë për Argjentinën, kështu që unë e inkurajova të kishte durim në klubin e tij dhe ekipin kombëtar.
Unë i thashë Messit: Ka figura të shkëlqyera këtu, kjo skuadër është e konsoliduar. Ne kemi punuar shumë për këtë Kupë Bote, prania juaja është e rëndësishme. Jemi shumë të lumtur, ju do të jepni kontributin tuaj, por shikoni, ka lojtarë që kanë mbetur në pankinë, të cilët janë mbresëlënës.
Duhet të nxjerrësh mësime nga ata që pranojnë stolin, sepse të fitosh një vend në këtë konkurrencë të madhe nuk është e lehtë. Ia shpjegova gjërat që në fillim dhe ai e përjetoi gjithçka mirë”.