Liderët e BE janë dakordësuar parimisht mbi përdorimin e pasaportës së vaksinimit e cila mund të zbatohet pas të paktën tre muajsh.
Përmes saj personat e vaksinuar mund të lejohen në aktivitetet e kohës së lirë si dhe të marrin pjesë në veprimtari apo udhëtime. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen sqaroi se kjo pasaportë nuk do të jetë detyruese por politikisht neutrale.
URSULA VON DER LEYEN
AdvertisementPRESIDENTE E KE
“Kemi akoma një sërë pikëpyetjesh mbi pasaportat e vaksinimit, politike dhe shëndetësore. Për çfarë do të përdoren këto certifikata? Gjithashtu është e paqartë nëse mund të transmetohet sëmundja edhe pas vaksinimit. Deri tani kemi të dhëna premtuese nga Izraeli në këtë drejtim. Prandaj vendimi do ti lihet secilit vend ndërsa në nivel europian, pasaporta e vaksinimit duhet përdorur për funksionimin e tregut të përbashkët.”
Presidentja Fon Der Lajen bëri të ditur se në shtatë vende të unionit numri i infeksioneve po rritet pavarësisht masave kufizuese, ndërsa në 20 vendet e tjera anëtare shifrat e infeksioneve janë në rënie ose kanë mbetur konstante. Kancelarja Angela Merkel e përshkroi situatën si një valë të tretë por e përjashtoi mundësinë e mbylljes së kufijve.
Krerët e qeverive të unionit i dhanë dritën jeshile ndërtimit të një fabrike të re vaksinash në Marburg të Gjermanisë ndërsa në vazhdim lufta kundër pandemisë do të koordinohet përmes një autoriteti të ri për emergjencën shëndetësore të emërtuar Hera.