Koalicioni i mbledhur rreth Partisë Progresiste Serbe të Aleksandër Vuçiç fitoi 63,5 % të votave në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, të bojkotuara nga opozita. “Sonte fituam një besim të madh për njerëzit, më i madhi ndonjëherë në Serbi, në kushte kur pak kush besoi dhe morëm një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, tha Vucic gjatë një fjalimi pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
“Ne fituam tmerrësisht bindshëm. Ne morëm më shumë se 2 milionë vota nga 3,3 milion qytetarë që dolën në votime”, shtoi ai.
Nëse këto shifra të kësaj nuk ndryshojnë derisa autoritetet zgjedhore të dalin me rezultatet përfundimtare, atëherë partia e tij do të fitojë pushtetin edhe për një mandat katërvjeçar. Sipas rezultateve të publikuara nga kjo organizatë joqeveritare, partia e dytë është Partia Socialiste me rreth 10,6 për qind të votave. Ndërsa në vendin e tretë, partia e krahut të djathtë, Lidhja Patriotike Serbe ka fituar rreth 4 për qind të votave. Sakaq partitë tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e 21 qershorit, kanë dështuar të kalojnë pragun për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh.
Në këto zgjedhje, për herë të parë pesë parti shqiptare kanë garuar në një listë të vetme. Sipas rezultateve preliminare, kjo listë pritet të fitojë së paku 3 vende në Parlamentin serb. Sipas zyrtarëve zgjedhor në zgjedhjet në Serbi pjesëmarrja ishte rreth 49 për qind, prej 6,6 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Ky është një nivel më I ulët krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 2016, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 56,7 për qind. Zgjedhjet në Serbi u mbajtën në kohën e pandemisë së koronavirusit. Qytetarët gjatë procesit të votimit u detyruan të vendosnin maska dhe të mbanin distancë fizike.