Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se ka mundësi që Rusia të mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, thotë Shtëpia e Bardhë përmes zëdhënëses së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Emily Horne.
Deklaratat, presidenti amerikan i ka bërë gjatë një bisede telefonike me homologun ukrainas Volodimir Zelenski.
Gjatë bisedës, Biden ka rikonfirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara, bashkë me aleatët dhe partnerët, për t’iu përgjigjur me vendosmëri një invazioni rus në Ukrainë. Ndërsa presidenti ukrainas tha se ata diskutuan për përpjekje diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe u dakordësuan për aksione të përbashkëta në të ardhmen.
Rusia ndërkohë thotë se sheh “pak terren për optimizëm”, në zgjidhjen e krizës pas refuzimit të SHBA për kërkesat e tyre kryesore. Por sipas disa raporteve konfidenciale, disa ekspertë ushtarakë sugjerojnë se Rusia, ndoshta, është duke pritur që terreni në Ukrainë të ngrijë, në mënyrë që të mund të zhvendosin pajisjet dhe armatimet e rënda.