Janë me mijëra bizneset shqiptare në Itali të goditura nga pandemia. E po ashtu edhe sipërmarrjet italiane që operojnë në Shqipëri.
Teksa flet në shifra për dëmet, ambasadori italian Fabrizio Bucci thotë në një intervistë, se turizmi, fasoneria dhe call-center janë sektorët më të goditur në të dy vendet, dhe parashikon edhe tkurrje të shkëmbimeve tregtare.
“Në Itali janë më shumë se 30 mijë biznese ku janë pronarë shqiptarë. Pra prezenca shqiptare në Itali është shumë e madhe në të gjithë sektorët. E njëjta përsa i përket italisë. Italia është partneri kryesor tregtar për Shqipërinë.. Janë mbi 2 mijë kompani italiane që operojnë në Shqipëri në të gjithë sektorët. Unë pres që brenda fundit të vitit të shihen të dhënat e shkëmbimeve Itali-Shqipëri dhe ka mundësi të shihet një tkurrje e fortë. Ka shumë investitorë italianë që kanë shkuar në Itali këto dy muajt e fundit duan të kthehen në Shqipëri pasi ndihen në emergjencë për të vendosur në punë motorët e ekonomisë, sigurisht në respekt të rregullave dhe kujdesit të sigurisë ndaj punonjësve të tyre”.
Ambasadori vlereson se mbyllja e aktiviteteve dhe kufizimi i lëvizjes ishin masat e duhura të ndërmarra nga autoritetet, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Por tani thotë se ekonomitë duhen hapur.
“Në Itali fatkeqësisht ishim pak pionierët e kësaj situate pasi ishim vendi që priti goditjen e parë dhe pas çorientimit shoqëror besoj që qeveria jonë zgjodhi masat e duhura për mbylljen e gjithçkaje. Pra për menaxhimin e virusit mund të themi që masat e marra kanë kontibuuar në rrafshimin e kurbës dhe për të penguar përhapjen e virusit. Në Shqipëri ishin shumë të vendosur duke vënë rregulla shumë të forta, shumë strikte, por nëse shikojmë të dhënat në fund këto masa mbrojtën shumë jetë njerëzish dhe minimizuan dëmet. Sepse fatmirësisht numri i vdekjeve dhe infektimeve në Shqipëri është në shifra të përmbajtura, edhe në terma përqindjeje, krahasuar me vende të tjera. Tani i gjithë fokusi i Shqipërisë dhe Italisë është rimëkëmbja e ekonomisë, pasi nëse ekonomia nuk rifillon do të thotë shumë të papunë, do të thotë të mos kesh para për të jetuar, do të thotë një jetesë të vështirë për të gjitha familjet e personat”.
Ndihmën e Shqipërisë me dy ekipe mjekësh dhe infermierësh, e cilëson një gjest të madh, në një kohë kur i gjithë populli italian ndihej i braktisur nga Europa.
“Dua të falenderoj edhe njëherë popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për atë gjest të jashtëzakonshëm. Në Itali kishte një impakt të madh, sepse të marrësh ndihmë nga Shqipëria, ishte diçka shumë e madhe. Shumë miq më shkruajtën dhe thanë që Shqipëria po na qëndron me të vërtetë afër, në një kohë kur Europa na braktisi”.
Por veç menaxhimit të pandemisë, ambasadori Bucci ka një apel për politikën, për t’u bërë bashkë për një çështje thelbësore si reformat integruese.
“Ftoj të gjitha partitë politike për të bashkëpunuar për atë që është një objektiv thelbësor, për të gjithë Shqipërinë. Pasi nuk është objektiv vetëm i qeverisë apo një partie, por është në interes të të gjithë Shiqipërisë që negociatat të ecin me shpejtësi përpara dhe të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ambasadori Bucci sjell në vëmendje se integrimi bazohet tek përshpejtimi i reformave dhe që reformat të jenë të qëndrueshme, është i nevojshëm kohezioni mes të gjitha forcave politike.