Kreu i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Asim Munir, e ka kërcënuar Qeverinë e udhëhequr nga talibanët në Kabul me “përgjigje efektive”, nëse vazhdon të strehojë militantë, të cilët kryejnë sulme në Pakistan.
Ai ka thënë se Pakistani ka “shqetësime serioze për ofrim të strehave të sigurta” për grupin militant Tehreek-e-Taliban (TTP) në Afganistan.
Kjo deklaratë ka ardhur pas dy sulmeve të militantëve në ditët e fundit, në të cilat janë vrarë 12 ushtarë pakistanezë.
“Sulme të tilla janë të patolerueshme dhe do të nixin përgjigje efektive nga forcat pakistaneze të sigurisë”, ka thënë Munir.
Disa grupe militante, përfshirë TTP, Shtetin Islamik dhe grupin e ri Tehreek-e-Jihad Pakistan janë prezente në Baloçistan, ku janë kryer sulmet e fundit.
Udhëheqësi ushtarak ka thënë se pret që talibanët afganë të realizojnë premtimin e dhënë në Marrëveshjen e Dohas të vitit 2020 – të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara – për të parandaluar çfarëdo grupi terrorist nga kryerja e sulmeve prej tokës afgane.
Talibanët në Afganistan nuk i kanë komentuar këto deklarata./R.E.L