Kërcënimet për vendosjen e sanksioneve nga BE nuk e kanë zmbrapsur Turqinë në pretendimet e saj për të kërkuar gaz dhe naftë në zonën e diskutuar detare me Greqinë. Nga kjo e hënë anija turke Oruç Reis i rikthehet fushatës kërkimore në Mesdheun Lindor për 10 ditët në vijim. Ndërsa do të shoqërohet edhe nga dy anije të tjera, Ataman dhe Cengiz Han.
Ministria e Jashtme Greke në një deklaratë zyrtare ka nënvizuar se eksplorimi në jug të ishullit të Kastellorizo ”përbën një përshkallëzim të madh dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj paqes dhe sigurisë në rajon”.
CITIM MINISTRIA E JASHTME GREKE
“Vetëm disa ditë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Turqisë, gjatë së cilës pala turke u zotua të propozojë një datë për kontakte kërkimore, demonstrohet përsëri mosbesueshmëria e saj si dhe fakti që Turqia sinqerisht nuk dëshiron dialog. Ajo këmbëngul në taktikat agresive dhe të paligjshme të shekujve të kaluar, duke konfirmuar qartë rolin e saj si faktori kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon. Nga Libia në Egje dhe Qipro, Siri, Irak dhe tani Nagorni-Karabak. Turqia injoron në mënyrë sistematike të Drejtën Ndërkombëtare, të Drejtën Ndërkombëtare Detare dhe rregullat e fqinjësisë së mirë.”
Athina zyrtare i bën thirrje Ankarasë që të ndryshojë menjëherë vendimin e saj ndërsa thekson se Greqia nuk shantazhohet por do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj.
Greqia dhe Turqia edhe pse të dy vende anëtarë të NATO-s, kanë një histori të gjatë mosmarrëveshjesh për kufijtë detarë. Tensionet u rindezën në 10 gusht kur anija Oruç Reis, si dhe dy anije ndihmëse, u dërguan për të kërkuar naftë dhe gaz në jug të ishullit grek të Kastellorizo.