Origjina e COVID/ OBSH viziton spitalin ku u trajtuan pacientët e parë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Origjina e COVID/ OBSH viziton spitalin ku u trajtuan pacientët e parë

Ekipi i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që po heton origjinën e COVID-19 vizitoi të shtunën një spital në qytetin qendror të Wuhanit në Kinë, ku u trajtuan pacientët e parë të koronavirusit.

Lëvizjet e misionit po kontrollohen rreptë nga autoritetet kineze.

Në ditën e dytë të tij pas dy javësh në karantinë, ekipi shkoi në Spitalin Jinyintan, ku mjekët kishin mbledhur mostra nga pacientët që vuanin nga një pneumoni e paidentifikuar në fund të vitit 2019.

Anëtarët e ekipit që u larguan nga spitali nuk folën me gazetarët, të cilët janë mbajtur në distancë.

Advertisement

Hetimi i drejtuar nga OBSH-ja është shoqëruar nga vonesat dhe grindjet midis Pekinit dhe Uashingtonit, i cili e akuzoi Kinën për fshehjen e përmasave të shpërthimit dhe kritikoi kushtet e vizitës, ku faza e parë e kërkimit u krye nga ekspertët kinezë.

OBSH-ja tha të premten se anëtarët e ekipit do të ishin të kufizuar në vizitat e organizuara nga mikpritësit e tyre kinezë dhe nuk do të kishin asnjë kontakt me anëtarë të komunitetit, për shkak të kufizimeve shëndetësore.

Ekipi pritet gjithashtu të vizitojë një treg prodhimesh deti po në Wuhan, ku u identifikuan rastet e para të sëmundjes, Institutin e Virologjisë dhe një laborator të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Koronavirusi i ri u shfaq në Wuhan në fund të vitit 2019 dhe prej asaj kohe është përhapur në të gjithë botën.

Advertisement

Më shumë se 120 vende kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e virusit dhe shumë qeveri kanë akuzuar Kinën se nuk ka bërë sa duhet për të frenuar përhapjen e tij. Kina ka nxitur idenë se virusi ekzistonte jashtë vendit para se të zbulohej në Wuhan./ VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy