Miliarderi rus, Oleg Deripaska, i njohur për lidhjet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për përfundim të luftës në Ukrainë.
“Paqja është shumë e rëndësishme. Është çmenduri të zgjaten negociatat për paqe”, ka thënë ai më 3 mars, në një postim në Telegram.
Deripaska, i cili është sanksionuar nga Perëndimi, ka paralajmëruar për aksident të mundshëm bërthamor në ndonjë nga hapësirat bërthamore të Ukrainës gjatë luftimeve, gjë që do të rrezikonte, Rusinë, Ukrainë dhe gjithë Evropën.
“Për ata që nuk kuptojnë – ndonjë aksident që përfshin këto objekte do të kujtohet nga pasardhësit tanë në Rusi, Ukrainë dhe Evropë në 200 vjetët e ardhshëm”, ka thënë Deripaska.
Deripaska është një nga miliarderët rusë që u bën thirrje autoriteteve të ndalin sulmet kundër Ukrainës. Mikhail Fridman, Pyotr Aven, Oleg Tinkov, dhe Aleksei Mordashov – po ashtu miliarderë të sanksionuar nga Perëndimi – kanë bërë thirrje publikisht që të ndalen luftimet.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.
Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./R.E.L