OKB: Së paku 55 migrantë të mbytur pranë Libisë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
OKB: Së paku 55 migrantë të mbytur pranë Libisë

Një varkë gome që transportonte dhjetëra migrantë në Evropë u fundos në brigjet e Libisë dhe së paku 55 persona u mbytën, duke përfshirë gra dhe fëmijë, njoftoi të mërkurën Agjencia për migracion e Kombeve të Bashkuara (OKB).

 

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) njoftoi se katastrofa ka ndodhur të martën. Varka mbante së paku 60 migrantë dhe u nis nga qyteti bregdetar Garabouli, në lindje të kryeqytetit libian, Tripoli.

 

Advertisement

Agjencia njoftoi se pesë migrantë i mbijetuan fundosjes së anijes dhe u sollën përsëri në breg nga rojet bregdetare libiane. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ndodhi me varkën.

 

Safa Msehli, zëdhënëse e IOM-it, tha se anija u përmbys menjëherë pasi u largua nga Garabouli. Ajo tha se rojet bregdetare libiane deri më tani ka nxjerrë trupat e nëntë burrave dhe një fëmije.

 

Advertisement

Në mesin e pesë të mbijetuarve ishin katër burra – tre pakistanezë dhe një egjiptian – dhe një fëmijë sirian, tha Msehli për Associated Press.

 

Kjo është ngjarja e fundit në serinë e tragjedive në Detin Mesdhe, rrugë kyçe kjo për emigrantët.

 

Advertisement

IOM tha se, sivjet, deri më tash, së paku 537 njerëz janë mbytur ose janë zhdukur në katastrofat me migrantë në Mesdhe, ndërsa mbi 4.300 persona janë kapur dhe janë kthyer në Libi.

 

Libia është shfaqur vitet e fundit si një pikë dominuese transiti për migrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme që përpiqen të arrijnë në Evropë. Vendi i pasur me naftë u zhyt në kaos pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO, që rrëzoi dhe vrau autokratin shumëvjeçar Muammar Gaddafi, në vitin 2011.

 

Advertisement

Trafikantët e qenieve njerëzore kanë përfituar nga kaosi në Libi vitet e fundit, duke kontrabanduar migrantë nëpër kufijtë e gjatë të vendit, i cili kufizohet me gjashtë shtete. Migrantët grumbullohen në anije të pajisura keq, duke përfshirë gomonet dhe nisin udhëtime të rrezikshme detare.

 

Sipas hetuesve të mandatuar nga OKB-ja, ata që kapen dhe kthehen në Libi mbahen në qendrat e paraburgimit të qeverisë, përplot me keqtrajtime, duke përfshirë punën e detyruar, rrahjet, përdhunimet dhe torturat – praktika këto që përbëjnë krime kundër njerëzimit.

 

Advertisement

Keqtrajtimet shpesh shoqërohen me përpjekje për të zhvatur para nga familjet e të burgosurve, përpara se migrantët të lejohen të largohen nga Libia me varkat e trafikantëve./rel

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy