Dhuna ndaj fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura arriti nivele ekstreme në vitin 2023, veçanërisht në Rripin e Gazës dhe Sudan, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të marrë nga AFP të martën që rendit forcat e armatosura izraelite, Hamasin dhe palët ndërluftuese në Sudan në “listën e turpit”.
“Në vitin 2023, dhuna që përfshin fëmijët në konflikte të armatosura arriti nivele ekstreme, një rritje tronditëse prej 21% në shkelje të rënda”, thotë raporti vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, që do të publikohet zyrtarisht nesër të enjten, duke theksuar se të dhënat në Gaza janë ende të paplota.
Raporti citon 30,705 shkelje të verifikuara të kryera nga agjencitë e OKB-së vitin e kaluar, duke përfshirë 5,301 vrasje, 6,348 plagosje, 8,655 rekrutime të detyruara dhe përdorime të tjera të fëmijëve nga palët ndërluftuese, 5,205 refuzime të aksesit në ndihmë humanitare dhe 4,356 rrëmbime.
“Ne kurrë nuk kemi verifikuar kaq shumë shkelje ndaj fëmijëve sa vitin e kaluar”, i tha AFP një zyrtar i OKB-së në kushte anonimiteti, duke shtuar se shifra përfshin më shumë se 2,000 shkelje të kryera në të kaluarën, por të konfirmuara në 2023.
Çdo vit, me kërkesë të Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i paraqet atij një raport mbi shkeljet e të drejtave të fëmijëve (nën 18 vjeç) në rreth 20 zona lufte në nivel ndërkombëtar, me anekse që detajojnë shkeljet – vrasjet, plagosjet, gjymtimet e fëmijët, rekrutimi i detyruar, rrëmbimet, rastet e dhunës seksuale…— dhe “lista e turpit”, ku emërohen përgjegjësit. /vizionplus.tv