Drejtori rajonal i Organizatës Botërore t
ë Shëndetësisë, Hans Kluge, tha se shkalla e infektimi me COVID-19 tek fëmijët e moshës pesë deri në 14 vjeç është më e larta në Evropë.
“Mbroni fëmijët dhe shkollat përmes strategjisë së kundërpërgjigjes”, kërkoi zoti Kluge nga qeveritë.
Ai propozoi që varianti Omicron i koronavirusit të luftohet me të njëjtat mjete që janë përdorur kundër variantit Delta.
“Deri më 6 dhjetor, janë identifikuar 432 raste me Omicron në 21 vendet anëtare të OBSH-së. Mënyra më e mirë për të ecur përpara ndërsa mblidhen më shumë prova, është shfrytëzimi i mjeteve që janë përdorur kundër variantin Delta, të cilat mund të kenë ndikim mbi variantin Omicron. Këto pesë mjete janë – vaksinimi, doza përforcuese, mbajtja e maskës, ventilatorët dhe protokolli i terapive”, tha zoti Kluge, ndërsa theksoi se vaksinimi i detyrueshëm duhet të jetë zgjidhja e fundit.
Pak më shumë se gjysma e qytetarëve në Evropë dhe Azinë Qëndrore janë plotësisht të vaksinuar, tha ai, ndërsa theksoi se në këto dy rajone varianti Delta është dominues. Zoti Kluge shtoi se vaksina kundër COVID-19 vazhdon të jetë e efektshme në parandalimin e simptomave të rënda dhe vdekjes nga koronavirusi.
Ai tha se ende është e paqartë nëse varianti Omicron është më ngjitës krahasuar me variantet tjera dhe se ende nuk dihet me siguri se sa të rënda janë simptomat e shkaktuara nga Omicroni.
Të dhënat në dispozicion mbi variantin ende janë fillestare dhe në zhvillim, duke përfshirë dhe ato rreth efektshmërisë së masave kundër koronavirusit si vaksina, diagnostikimet dhe terapitë./VOA