Rusia vijon të marrë kohë për t’iu përgjigjur Uashingtonit dhe NATO-s mbi veprimet e ardhshme sa i takon situatës së sigurisë në Ukrainë, ndërsa paralelisht aleanca e atlantikut të veriut avancon planet e mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara të amerikës kanë derguar në Poloni 1,700 trupa ushtarake shtesë së bashku me avionë luftarakë dhe komando amerikanë.
Ndërkohë edhe Moska vazhdon të ashtuquajturat stërvitje në vendet fqinje. Gjatë orëve të fundit, në Bjellorusi u vendosën dy bombardues me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi.
Kremlini ka zhvendosur trupat nga Siberia dhe Lindja e Largët në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta gjithëpërfshirëse.
Ky dislokim i rrit përmasat e grumbullimit ushtarak rus pranë Ukrainës, që ka shkaktuar shqetësim tek perëndimi për një pushtim të mundshëm. Për më tepër, ushtria ruse ka ndërmarrë një sërë stërvitjesh ushtarake nga Arktiku deri në Detin e Zi.
Dislokimi i trupave ruse në Bjellorusi ka shtuar dyshimet se Moska mund të jetë duke organizuar një sulm ndaj Ukrainës nga veriu. Kryeqyteti ukrainas Kievi është vetëm 75 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë.
Muajt e fundit, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh të përbashkëta me Bjellorusinë dhe ka dërguar në mënyrë të përsëritur bombarduesit e saj me rreze të gjatë me aftësi bërthamore për të patrulluar hapësirën ajrore të Bjellorusisë, e cila kufizohet nga vendet anëtare të NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia.