Në Izrael është shpallur për herë të parë gjendje lufte. Ky ishte vendimi i marrë nga kabineti i sigurisë, pas bilancit të rëndë me mbi 1 mijë viktima teksa për të dytën ditë me radhë forcat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në pjesën jugore të shtetit.
Ushtria izraelite deklaroi sot se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.
“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës. Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.
Një ditë pas nisjes së sulmeve nga militantët e Hamasit, të cilët hynë në Izrael, forcat izraelite pa humbur kohë nisën kundërpërgjigjen. Pamjet e rënda tregojnë se si të dyja palët po përballen me shkatërrim total. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklaruan se po shpallin “gjendje gatishmërie për luftë” në përgjigje të sulmit të befasishëm nga Gaza. Ministri i Mbrojtjes ka miratuar një thirrje për rezervistët ushtarakë.