Fiks në orën kur mbaroi mbledhja e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, Lulzim Basha u shfaq “Live” në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.
Ndryshe nga cimbimi nervoz i Oerd Bylykbashit se palët në Këshill kishin ngecur, Lulzim Basha në anën tjetër u shfaq krejt i qetë në Tv Klan.
Në 60 minuta intervistë ai nuk përcolli tensionin politik (që të paktën publikisht) po shpërfaqej në anën tjetër të Tiranës, në Pallatin e Kongreseve.
Basha e “lëshoi” erashkën që në fillim të emisionit. Tha se Rama nuk e pranon qeverinë tranzitore, pa të cilën Bashës, të tjerat i duken pesë më hiç. Pranoi gjithashtu se do të futet në zgjedhje edhe pa këtë kusht.
“… Në qoftë se nuk ka qeveri pa Edi Ramën kryeministër të tjerat janë pesë me hiç, por ne jemi aty për të bërë detyrën tonë që, të paktën, kuadri ligjor nesër, nën qeverisjen tonë, nën drejtimin tim, mos të kenë gojë dhe të thonë shikoni…”.
Pra, a është e gatshme opozita për zgjedhje në çdo rrethanë?
“Nuk ka grup kriminal, nuk ka alibi, nuk ka shkatërrim të procesit të reformës, që e shpëton Edi Ramën dhe bandën e tij nga largimi”.
“Ne kemi planin, unë kam vizionin, kam planin, kam vendosmërinë, kam ambicien, kam përvojën për ta drejtuar këtë betejë…”
Basha u shfaq i sigurtë se “Rama i ka ditët e numëruara” dhe se njerëzit tek opozita po shohin ndryshimin.
U shfaq krejt institucional në raport me Metën. “Nuk i bëj unë nder Ramës të merrem sonte në replika me Presidentin. Presidenti ka mendimin e veta. Unë kam qëndrimet e mia…”. Tha gjithashtu se nuk i kishte premtuar Metës se do të futej në zgjedhje, (ndryshe nga sa pretendoi Presidenti). Nuk ishte penduar se braktisi Kuvendin, (ndryshe nga sa ia vë në dukje Meta).
Për të nuk ka rëndësi as mesazhi konfidencial I një diplomati i bërë publik nga Presidenti I Republikës lidhur me emërimet në Kushtetuese.
“Mesazhet që më kërkoni të komentoj nuk kanë pikë rëndësie. Nuk është asgjë në krahasim me skandalet e tjera që kanë ndodhur më përpara. Asgjë…Nuk përbën asnjë lajm për ne. Reforma në Drejtësi është kapur tërësisht nga Edi Rama, është projekt i tij të kapë reformën në drejtësi…”.
Ndryshe nga Meta, Basha ka një tjetër qasje edhe për rolin e ndërkombëtarëve. “Sigurisht që ndërkombëtarët kanë përgjegjësinë e tyre për sa kohë që kanë qenë bashkëhartues dhe bashkëshoqërues të reformës, por nuk mund t’i vë fajin pragut për derën…”
Basha nuk doli nga qëndrimi skematik as kur tha se do ta votonte Metën për një mandat të dytë si President.
E quajti propagandë hipotezën për një koalicion mes tij dhe Ramës pas zgjedhjeve të 2021-it. Si asnjëherë tjetër foli si kryeministër i ardhshëm duke shpalosur pjesë nga platforma ekonomike e PD-së e duke premtuar se (në rast fitoreje) do të ndëshkojë kupolën aktuale duke filluar nga Edi Rama me ministra e deri tek Erion Veliaj…
Pra, Lulzim Basha la të kuptohej qartazi të enjten se do të futet në zgjedhje edhe pa garanci, se do t’i fitojë ato, i “tregoi” Metës vendin e tij, dhe se nuk ka pakt me Ramën pas zgjedhjeve…
Me pak fjalë, një Basha që veç zhvillimet e ditëve në vijim do të tregojnë se sa ka qënë Ai në “Opinion”.(gazetaSI)