Duke qenë se ndihma e shtetit mungon, pasi Presidenti Jair Bolsonaro është zotuar të shtypë “si buburrecë” kriminelët, ata kanë dalë në skenë. Aty ku më parë gëlonte tregtia e lëndëve narkotike, nën “thundrën” e armëve, tani pjesëtarët e bandave imponojnë izolimin, distancimin fizik dhe merren drejtpërdrejt me shpërndarjen e ushqimeve dhe ilaçeve për ata që kanë më tepër nevojë.
“Kemi frikë virusin, jo Bolsonaron”, thotë Ronaldo, pjesëtari i një bande, për CNN. “Nuk i numërojmë dot të vdekurit. E ke më të sigurt vdekjen në spital sesa kur qëndron në shtëpi dhe kujdesesh për veten”.
Falë lejes së dhënë nga një bandë, CNN mundi të futet në një prej lagjeve më të varfra dhe të izoluara të Rios, për të treguar se çfarë bëhet aty për të përballuar koronavirusin. Të rinjtë shpërndajnë me motorë pako me ushqime, dezinfektues dhe maska.
Brazili është bërë shteti i dytë me numrin më të madh të viktimave, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të pyetur nëse do të pranojnë ndonjë nga 2 milionë dozat e hidroksiklorokinës që SHBA do të dërgojë në vend, Ronaldo përgjigjet: “Nuk mendoj se ndihmon. Për më tepër, çdo gjë që vjen në Brazil nga jashtë është e kontaminuar”.