Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk tërhiqet nga retorika e tij përsa i përket çështjes së luftës në Gaza, ndonëse gjendet përballë ‘presionit’ ndërkombëtar dhe jo vetëm.
Ai nënvizoi sërish se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Gaza, derisa të arrijë çdo objektiv të paracaktuar.
Netanyahu, duke folur në televizionin izraelit, tha se Izraeli nuk do të tërheqë forcat e tij nga Rripi i Gazës apo se nuk do të lirojë mijëra palestinezë të mbajtur në burgjet e sigurisë së lartë në Izrael, duke hedhur poshtë raportimet e mediave për një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi me Hamasin.
“Ne nuk do ta përfundojmë këtë luftë nëse nuk arrihen të gjitha qëllimet e saj. Kjo nënkupton eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve dhe sigurimin që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin”, theksoi ai.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i organizatës militante palestineze Xhihadi Islamik, Ziad al-Nakhla , tha se organizata nuk do të angazhohet në asnjë marrëveshje që përfshin pengjet izraelite pa siguruar një armëpushim gjithëpërfshirës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës./vizionplus.tv/