Nëntë majmunë të mëdhenj në një kopsht zoologjik në Kaliforni u bënë organizmat e parë jonjerëzorë që u vaksinuan kundër koronavirusit.
Zyrtarët në San Diego thanë se katër orangutangë dhe pesë bonobos morën vaksinën, javëve të fundit.
Kafshët i morën nga dy doza të një vaksine eksperimentale, të dizajnuar fillimisht për qen dhe mace, tha zëdhënësja e kopshtit zoologjik, Darla Davis, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Vaksinat u miratuan pasi tetë gorilla në një tjetër kopsht të San Diegos u infektuan me koronavirus në janar.
Rasti shënoi transmetimin e parë të njohur të virusit te majmunët e mëdhenj.
Vaksina u zhvillua nga kompania farmaceutike veterinare Zoetis, por nuk u testua te majmunët.
Në komunitetin njerëzor, koronavirusi ka prekur mbi 115 milionë vetë.
Prej tyre, mbi 2.5 milionë kanë humbur jetën dhe mbi 65 milionë janë shëruar.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 28 milionë të infektuar dhe mbi 520,000 viktima./ REL