Nga Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur e Pleniumit të Beratit të mbajtur nga data 23 deri më 17 nëntor të vitit 1944. Pas shumë kritikave që i’u bënë Enver Hoxhës nga pjesa më e madhe e Byrosë Politike si Koci Xoxe, Sejfulla Malëshova, Pandi Kristo, etj., të cilat e akuzonin atë për “sektarizëm të tepruar, për largimin me dashje nga Fronti Nacionalçlirimtar të një pjese të madhe të popullsisë që përfshinte dhe grupet e ndryshme opozitare jo komuniste, si dhe individët me ndikim të madh në rradhët e asaj që quhej borgjezi, klerit, etj”, me shumicë votash Enveri u përjashtua nga funksionet që kishte në kreun e Partisë. Dëshmia e rrallë e Nexhmi Ballkës, një nga komunistët e parë të rrethit të Sarandës gjatë periudhës së Luftës dhe më pas me detyra dhe funksione të larta deri në zv/ministëri Brendëshëm, lidhur me Pleniumin e Beratit, ngjarje të cilën atij i’a ka pas dëshmuar, Sejfulla Malëshova, një nga miqtë më të ngushtë të tij, pak kohë para se Ballka të dënohej me vite të gjata burgu dhe internimi, pikërisht pse ishte shoku dhe miku i ngushtë i Malëshovës.
“Mbas shumë kritikash që i’u bënë Enver Hoxhës në atë Plenium nga pjesa më e madhe e antarëve të Byrosë Politike, si: Koci Xoxe, Sejfulla Malëshova, Pandi Kristo etj., gjendja e tij u lëkund së tepërmi dhe filluan diskutimet që ai të përjashtohej përfundimisht nga udhëheqja e lartë e Partisë, ku ai mbante postin kryesor, atë të Sekretarit të Përgjithshëm. Nga kritikat që u bënë në adresë të tij, më evidentet ishin ato që e akuzonin atë për sektarizëm të tepruar, për largimin me dashje nga Fronti Nacionalçlirimtar të një pjese të madhe të popullsisë që përfshinte dhe grupet e ndryshme opozitare jo komuniste, si dhe individët me ndikim të madh në rradhët e asaj që quhej borgjezi, klerit, etj. Nga gjithë këto kritika, pothuaj pjesa më e madhe e antarëve të Pleniumit ishin të një mendimi se: Enver Hoxha duhej larguar nga kreu i partisë dhe pasi u ra dakort që ajo gjë të votohej, me shumicë votash ai u përjashtua nga funksioni drejtues që kishte në parti. Pikërisht në këtë situatë kur gjithshka për Enverin pothuaj kishte marrë fund, u ngrit për të diskutuar Sejfulla Malëshova, një nga njerzit më me reputacion në rradhët e udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste, që zotëronte një erudicion dhe kulturtë të gjerë, i cili e tha: Unë jam plotësisht dakort me të gjitha kritikat që u bënë në adresë të Enverit dhe dua të them se përveç atyre çka u thanë për të këtu në këtë mbledhje, ai ka dhe plot gabime të tjera të cilat këtu nuk dolën fare.
Megjithkëtë unë i propozoj Pleniumit që: shokun Enver të mos e shkarkojmë nga roli i tij në krye të partisë për këto arsye…” Kështu e kujtonte Pleniumin e Beratit, Nexhmi Ballka, një nga komunistët e parë të rrethit të Sarandës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas saj një nga kuadrot me detyra dhe funksione të larta drejtuese deri në zv/ministër i Brendëshëm, i cili tregonte mbi një nga ngjarjet më dramatike të kreut të komunistëve shqiptarë, Enver Hoxhës, atë të Pleniumit të Beratit, ngjarje të cilat Ballkës ja ka dëshmuar personalisht shoku i tij i ngushtë, Sejfulla Malëshova, njeriu i cili e mori në mbrojtje Enver Hoxhën dhe e shpëtoi përfundimisht nga shkarkimi që i bëri atij ai Plenium. Po në ç` rrethana u zhvillua Pleniumi i Beratit, kush mori pjesë aty, çfarë u tha për Enver Hoxhën, cilat ishin kritikat që u bënë në adresë të tij dhe si mundi ai të shpëtonte pa u përjashtuar nga drejtimi i partisë?
Sugjerimet e Titos për Enverin
Sipas Nexhmi Ballkës, kur nuk kishin kaluar më shumë se katër pesë muaj nga Kongresi i Përmetit, ku Enver Hoxha i kishte konsoliduar jo vetëm pozitat e tija në krye të Partisë Komuniste dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane që udhëhiqte gjithashtu Frontin Nacionalçlirimitar, por dhe mbështetjen e aleatëve anglo-amerikanë të cilët kishin atashuar tek shtabi i tij misionet e tyre, ai vendosi që të mbante një mbledhje në qytetin e Beratit. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija midis të tjerash Enver Hoxha shkruan: “Pas Kongresit të Pëmetit, kishte ardhur koha dhe duhej të hidhej një hap tjetër për të ngritur një strukturë më të qëndrueshme e cila do të finalizohej me krijimin e një qeverie të re”. Për këtë Enveri shtyhej nga fakti se pothuaj pjesa më e madhe e vendit ishte çliruar nga gjermanët dhe ato zona tashmë kontrolloheshin nga forcat partizane që ishin nën kontrollin e tij absolut. Në atë kohë një nga problemt që e shqetësonin më shumë Enver Hoxhën, ishte mundësie e një zbarkimi të aletatëve anglo-amerikanë në bregdetin shqiptar. Këtë gjë ai e besonte së tepërmi pas zbarkimit që anglo-amerikanëtve bënë në Greqi dhe gjëja që e shqetësonte më shumë ishte se pas zbarkimit të tyre, në Greqi ishte kthyer dhe qeveria greke që kishte qënë në mërgim.
Në këto situata në të cilat ndodhej, Enver Hoxha vendosi që nëpërmjet emisarëve jugosllavë që ishin atashuar pranë shtabit dhe Partisë Komuniste Shqiptare që ai kryesonte, t`i kërkoi ndihmë Josif Broz Titos, që pas Stalinit, gëzonte simpatinë më të madhe në të gjithë udhëheqsit e partive komuniste të Evropës Lindore që ndodheshin nën pushtimin gjerman. Duke qenë se edhe Titoja ishte i shqetësuar për një zbarkim të mundshëm të forcave aleate anglo-amerikane në Shqipëri, gjë e cila pa tjetër që do të sillte pështjellime në këtë vend ku ai kishte synime të qarta, e këshilloi Enver Hoxhën që ai të nxitonte për krijimin e një qeverie të përkohshme, me të cilën do t` i vinte anglo-amerikanët përball një fakti të kryer. Sugjerimet e Titos e ngrohën pa masë Enver Hoxhën, i cili nxitoi që të mbante një mbledhje të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimitar dhe për këtë gjë zgjodhi qytetin e Beratit, një nga më të njohurit e Shqipërisë, i cili ishte në një pozicion të mirë strategjik dhe gjithashtu qyteti më I vjetër në historinë e Shqipërisë. Kjo zgjidhje e tija konsistonte dhe me largimin e gjermanëve pak javë më parë nga ai qytet, i cili ishte kthyer normalitetit e dëmet e luftës aty pothuaj nuk ndjeheshin fare. Me qëllim që të garantonte vazhdimësinë e asaj çka arriti në Përmet dhe që ajo mbledhje të quhej si një vazhdim i saj, Berati u quajt si një sesion i dytë i Kongresit të Përmetit.
Enveri në krye të Qeverisë
Nexhmi Ballka dëshmon se në atë situate ku ndodhej, Enver Hoxha nxiti dhe përpunoi opinionin e shumë bashkpuntorëve dhe mbështetësve të tij në parti dhe Shtabin e Përgjithshëm, që Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar që kishte dalë nga Kongresi i Përmetit, të merrte atributet e një Qeverie të Provizore, e cila do të quhej Qeveria Demokratike e Shqipërisë. Në këto rrethana, më 17 shtator 1944, Enver Hoxha mblodhi Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe vendosi që të mbante mbledhjen, e cila i zhvilloi punimet nga data 20 deri në 23 tetor. Në atë mbledhje u vendos që Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar, të quhej Qeveria Demokratike e Shqipërisë dhe kryetar i saj u emërua gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Përveç Hoxhës, dy nga njerzit më kryesorë që rradhiteshin pas tij ishin, Sejfulla Malëshova që u emërua ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës, e Koci Xoxe (i vetmi puntor në rradhët e udhëheqjes së lartë të Partisë), i cili mbante postin e zv/kryetarit të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, që u zgjodh përsëri si zëvëndës i Enver Hoxhës në të gjitha postet dhe funksionet që ai kishte. Ndër detyrat kryesore që i vuri vetes qeveria e kryesuar nga Enver Hoxha, ishte “të forconte pushtetin e saj që e ushtronte me këshillat nacional-çlirimtare, të siguronte dhe të mbronte të drejtat e qytetarëve të saj, të rishikonte dhe të prishte të gjitha marveshjet politike-ushtarake dhe ekonomike që kishte lidhur Zogu, të vendoste lidhje dhe të bashkpunonte ngushtë me Bashkimin Sovjetik dhe me të gjithë pjesmarrësit e koalicionit të madh antifashist”. Po kështu ajo qeveri mori përsipër që pas çlirimit të vendit, të përgatiste zgjedhjet demokratike për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të vendoste përfundimisht formën e regjimit që do të kishte Shqipëria.
Si u zhvillua Pleniumin e Beratit
Mbas formimit të Qeverisë Provizore, e cila u quajt Demokratike, Enver Hoxha qëndroi në qytetin e Beratit, ku nga data 23 deri në 27 nëntor 1944, u mbajt Pleniumi i Partisë. Ky plenium u mbajt më teper që të njihej më shumë roli i Partisë Komuniste, që deri në atë kohë njihej fare pak, e ishte i fshehur nën Fronitin Demokratik. Nga historiografia e regjimit komunist, ajo mbledhje është quajtur gjithmonë “Pleniumi i zi i Beratit dhe një nga njollat më të errta të Partisë Komuniste, i cili u inskenua dhe u nxit nga jugosllavët e njerzit e tyre në udhëheqjen e lartë të Partisë”. Po çfarë ndodhi në atë Plenium dhe përse ai është quajtur Pleniumi i zi i Beratit? Nexhmi Balka kujton se ai plenium u mbajt për të bërë analizën e punës së partisë deri në atë kohë dhe për të caktuar detyrat që i dilin asaj në prag të mbarimit të Luftës dhe çlirimit të vendit. Pas leximit të raportit që u mbajt nga vetë Enver Hoxha, menjëherë në adresë të tij u bënë shumë kritika nga pjesa më e madhe e antarëve të Byrosë Politike dhe Komitetit Qëndror Provizor. Lidhur me këtë gjë hedh dritë dhe dëshmia e Sejfulla Malëshovës, njerit prej krerëve më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare të asaj kohe, i cili zotëronte një erudicion dhe kulturë të gjerë, e nga të gjithë komunistët respektohej pa masë, si njeriu që ishte përgatitur në Moskë. Këto dëshmi të Malëshovës mbi Pleniumin e Beratit, i bënë të ditura njeri prej miqëve dhe shokëve të tij më të ngushtë, Nexhmi Ballka, ish kuadër me detyra të larta para dhe pas luftës, i cili u godit që në vitin 1947 (si shok i Sejfulla Malëshovës), duke u arrestuar e dënuar me burgime të gjata. Ballka bën të ditur se megjithse asokohe konspiracioni i komunistëve ishte në një shkallë të lartë, Sejfulla Malëshova duke e pasur shok të ngushtë, i ka treguar atij pa hyrë shumë në hollësira, se çfarë ngjau në atë mbledhje që është quajtur për 45 vjet me rradhë si “një nga njollat më të errta të Partisë”.
Përjashtimi i Enverit në Pleniumin e Beratit
Lidhur me këtë, sipas dëshmive të Malëshovës, bëhet e ditur se në Pleniumin e Beratit, pas leximit të raportit, pothuaj të gjithë u ngritën dhe folën kundër Enver Hoxhës, duke i bërë atij kritika të ashpëra, por më shumë nga të gjithë kundër tij foli Koci Xoxe, Sejfulla Malëshova dhe Pandi Kristo. Pas atyre kritikave që u bënë në adresë të tij, të cilat konsistonin në: sektarizëm të tepruar dhe largim me dashje nga rradhët e Frontit të një pjese të madhe të popullsisë ku përfshiheshin dhe grupet e ndryshme opozitare jo komuniste dhe individët që kishin një ndikim të madh në rradhët e asaj që quhej borgjezi, klerit etj, gjendja e Enverit u rëndua së tepërmi dhe u vendos përjashtimi i tij nga roli që kishte në krye të partisë. Mbledhja vendosi që të hidhej në votë propozimi për shkarkimin e tij dhe pas votimit me shumicë votash, ai u përjashtua. Pas atij vendimi, Enverit i’u mbushën sytë me lot dhe ai i kërkoi Pleniumit që ta linin në parti, që ai të kishte mundësi dhe kohë të reflektonte. Pas fjalëve të Enverit, u ngrit Sejfulla Malëshova dhe tha: “Unë jam plotësisht dakort me ato që u thanë këtu për Enverin, por duke pasur parasysh se partia jonë është e re dhe e pakonsoliduar mirë, ku ne nuk kemi bërë aktive dhe konferenca të rregullta, mendoj që problemin e përjashtimit të Enverit nga partia ta diskutojmë kur të shkojmë në Tiranë. Kjo gjë nuk shkon të bëhet tani, për vetë kushtet në të cilat ndodhemi, ku çlirimi i Shqipërisë është çështje ditësh dhe Enveri është shumë i popullarizuar në krye të partisë. Ta lëmë këtë problem dhe ta diskutojmë kur të shkojmë në Tiranë dhe atje do të shihni se përveç këtyre problemeve që dolën këtu, për Enverin kemi dhe plot gjëra të tjera që ju nuk i keni dëgjuar kurrë më parë”. Pas fjalëve të Sejfullait, nuk kundërshtoi asnjë nga pjesmarrësit e tjerë të asaj mbledhje dhe pleniumi i mbylli punimet duke e lënë Enver Hoxhën në pozitën e tij si Sekretar i Përgjithshëm në krye të Partisë Komuniste shqiptare.
Si u mbyll problemi i Beratit?
Dy ditë mbas Pleniumit të Beratit, konçidoi dhe mbarimi i Luftës e Qeveria Provizore me në krye Enver Hoxhën, u nis në drejtim të Tiranës për të festuar si triumfatorë çlirimin e vendit. Ngjarjet e mëpasme rrodhën ndryshe dhe figura e Enver Hoxhës u rrit së tepërmi në sytë e bashkpuntorëve të tij dhe turmave të popullit që e pritën me lule hyrjen e tij në Tiranë. Pas kësaj, nuk kishte më vend për të diskutuar fjalët e Sejfulla Malëshovës që tha në Berat për Enver Hoxhën. Për antarët e Komitetit Qëndror të Partisë Koministe Shqiptare dhe për vetë Sejfulla Malëshovën, ai problem quhej i kaluar dhe nuk mund të zihej më në gojë. Në pak ditë gjërat kishin ndryshuar shumë dhe ata që folën në Berat, tashmë shikonin që të zinin vendet sa më afër Komandantit në tribunën parta hotel “Dajtit” ku zhvilloheshin paradat madhështore me partizanët e armatosur e popullin që thërrisnin: “Rroftë Komandanti ynë, gjeneral-kolonel Enver Hoxha”./Memorie.al