George Alagiah, një nga gazetarët më të respektuar të BBC-së, vdiq në moshën 67-vjeçare, nëntë vjet pasi u diagnostikua me kancer.
Një deklaratë, agjentja e tij tha se ai “vdiq i qetë sot, i rrethuar nga familja dhe të dashurit e tij”.
Si pjesë e ekranit televiziv britanik për më shumë se tre dekada, ai prezantoi lajmet e BBC-së në 20 vitet e fundit.
Para kësaj, ai ishte një korrespondent i huaj i vlerësuar me çmime, duke raportuar nga vende si Ruanda e Iraku.
Ai u diagnostikua me kancer të fazës së katërt në vitin 2014 dhe zbuloi në tetor të vitit 2022 se sëmundja i ishte përhapur.
Duke bërë homazhe, agjentja e tij tha: “George ishte shumë i dashur nga të gjithë ata që e njihnin, si mik, koleg apo si një anëtar i publikut”.
“Ai thjesht ishte një njeri i mrekullueshëm. Mendimet e mia janë me bashkëshorten, djemtë dhe familjen e tij më të gjerë,” tha agjentja e tij.
Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie tha: “Nëpër BBC, të gjithë jemi jashtëzakonisht të trishtuar kur dëgjuam lajmet për George. Ne po mendojmë për familjen e tij në këtë kohë”.
“Ai ishte më shumë se një gazetar i shquar, audienca mund të ndiente mirësinë, ndjeshmërinë dhe humanizmin e tij të mrekullueshëm. Të gjithë e kanë dashur dhe do të na mungojë pa masë”, tha Davie.
Alagiah fitoi çmime për raportimet mbi urinë dhe luftën në Somali në fillim të viteve 1990 dhe u nominua për një çmim Bafta në vitin 1994 për mbulimin e fushatës gjenocidale të Sadam Huseinit kundër kurdëve të Irakut verior.
Ai u emërua gjithashtu gazetari i vitit i Amnesty International në vitin 1994, për raportimin mbi luftën civile në Burundi dhe ishte gazetari i parë i BBC-së që raportoi për gjenocidin në Ruandë.
Ai intervistoi fëmijë ushtarë në Liberi, viktima të përdhunimeve masive në Ugandë dhe ishte dëshmitar i vuajtjeve të njerëzve pothuajse kudo në botë.
“Ka një brez të ri në Afrikë”, shkruante ai, “brezi im, fëmijët e lirisë, të lindur dhe të edukuar në ato vite euforie pas pavarësisë, kemi pasur një shans. Nuk kemi bërë shumë me të”.
Ai ka thënë se një nga momentet që ka ndjerë më së shumti krenari në jetën profesionale, ishte kur transmetoi disa nga pamjet e para të spastrimit etnik në Kosovë në vitin 1999.
Histori të tjera për të cilat ai raportoi përfshinin tregtinë me organe të njerëzve në Indi, fëmijët e rrugës në Brazil, luftën civile në Afganistan dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Etiopi./RE/